10/08/2026
TAKIM PUNE NË AGJENCINË E MËRGATËS SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT
Sot, më 10 gusht 2026, Kryetari i Bfi së Italisë Dr. Reshat Ibishi realizoi një takim pune në zyrat e Agjencisë së Mërgatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup, me zëvendësdrejtorin e Agjencisë, z. Fatlum Jusufi, dhe zyrtarin e Agjencisë, z. Nusret Kovaçi.
Gjatë takimit i informova për aktivitetet dhe veprimtarinë e Bashkësisë Fetare Islame të Italisë – CRII (BFII), për punën e qendrave islame shqiptare, si dhe për angazhimin e imamëve shqiptarë në Itali, jo vetëm në aspektin fetar dhe komunitar, por edhe në atë shoqëror, kulturor dhe integrues.
Theksova se qendrat islame shqiptare dhe imamët që veprojnë në kuadër të BFII-së kanë ndërtuar ndër vite një prani të respektuar në shoqërinë italiane, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar të mërgatës sonë, në edukimin e brezave të rinj dhe njëkohësisht në integrimin dhe bashkëjetesën e mirë në shoqërinë italiane.
Me këtë rast, shpreha falënderimin tim për bashkëpunimin e deritanishëm dhe konfirmova gatishmërinë e BFII-së për ta vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Agjencinë e Mërgatës dhe me institucionet përkatëse të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në interes të mërgatës sonë.
Nga ana e tij, zëvendësdrejtori z. Fatlum Jusufi na informoi për aktivitetet dhe projektet e Agjencisë së Mërgatës, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm me BFII-në dhe me organizatat e mërgatës që veprojnë në Itali.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur, konstruktive dhe miqësore, me mirëkuptim të përbashkët për rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet institucioneve të vendlindjes dhe mërgatës sonë.
Në përfundim të takimit, pata kënaqësinë t’i dhuroj zëvendësdrejtorit dy nga botimet e mia:
📘 “Sheriati si burim i së drejtës në disa shtete bashkëkohore (Arabia Saudite dhe Republika Islamike e Iranit)”
📘 “Përqasje mbi pakicat në sistemet politike Islame”
Falënderoj z. Fatlum Jusufi dhe z. Nusret Kovaçi për pritjen, respektin dhe bashkëbisedimin e frytshëm.
Dr. Reshat Ibishi
Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Italisë – CRII (BFII)