01/09/2026
TELEGRAM NGUSHËLLIMI ME RASTIN E NDARJES NGA JETA TË PROF. DR. OSMAN SEJFIJAJT
-----------------------------------------------
LAMTUMIRË PROFESOR SEJFIJA!
Sot, Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe Kolegji Pan- Shqiptar i Kiriurgëve, përcjellë me dhimbje të thellë dhe me nderimin më të madh, Prof.Dr. Osman Sejfijajn, Anëtar Nderi, dhe një prej figurave më të rëndësishme të historisë së mjekësisë dhe kirurgjisë në Kosovë dhe më tej.
Prof. Sejfija ishte një nga themeluesit e Kirurgjisë Maksillofaciale në Kosovë, kirurg i jashtëzakonshëm, mësues i shumë gjeneratave dhe, mbi të gjitha, një njeri që tërë jetën ia kushtoi profesionit, pacientit dhe formimit të brezave të rinj në ndertim të shkencës në Kosovë.
Jeta e tij profesionale u zhvillua në kohë të vështira, kur për të ndërtuar diçka e re kërkohej jo vetëm dije, por edhe guxim, këmbëngulje e besim.
Kur Kosova kaloi nëpër ditët ma të rënda të historisë së saj, Profesor Sejfija ishte aty ku duhej të ishte një mjek. Si kirurg, ai u përballë me plagë e tragjedi njerëzore që vështirë harrohen. Në ato ditë, kur gjithçka ishte e pasigurt, ai vazhdoi ta kryente misionin e tij: të shpëtojë jetë dhe të jetë pranë njerëzve kur më së shumti kishin nevojë.
Por trashëgimia e Prof. Dr. Sejfijajt nuk përfundon në sallën e operacionit.
Ajo jeton në shumë breza kirurgësh që kanë mësuar prej tij. Shumë prej nxënësve të tij sot janë emra të respektuar të kirurgjisë në Kosovë dhe në qendrat më të njohura të Evropës. Ata janë dëshmia më e fuqishme e punës së tij. Sepse, derisa një kirurg i madh e shpëton një jetë, një mësues i madh i ndryshon jetën një gjenerate të tërë.
Sot, kur po e përcjellim për në amshim, fjalët duken të vogla përballë asaj që la pas.
Prof. Sejfija la një profesion më të fortë, nxënës që u bënë profesorë e kirurgë të shquar, dhe dije që vazhdon të përcillet nga një gjeneratë tek tjetra. Ai la një histori pune, sakrifice dhe përkushtimi që nuk mund të harrohet.
Por mbi të gjitha, Prof. Sejfija la kujtime në zemrat e njerëzve që patën fatin ta njohin.
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe Kolegji Pan-Shiptar i Kirurgëve i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve, nxënësve dhe të gjithë atyre që sot ndjejnë mungesën e tij.
Prof. Sejfijajt sot po i themi lamtumirë me zemër të rënduar, por me kokën lartë, sepse një jetë e tillë nuk kalon kot.
Ai do të mbetet në ADN-në e çdo kirurgu që e ka mësuar, të çdo pacienti që e ka shëruar, dhe tek brezi që do të vazhdojë ta çojë përpara atë që ai e nisi.
Faleminderit për gjithçka që i dha mjekësisë, kirurgjisë së Kosovës dhe kirurgjisë shqiptare pergjithësisht.
Lavdi veprës dhe kujtimit të tij!
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe Kolegji Pan-Shqiptar i Kirurgëve