27/06/2026
Spitali Rajonal Shkodër zhvilloi konferencën "In Memoriam", kushtuar figurave të shquara të kirurgjisë, të cilët me profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e tyre shumëvjeçar kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë dhe zhvillimin e Shërbimit të Kirurgjisë.
Konferenca mblodhi profesionistë të shëndetësisë, personalitete të fushës, familjarë dhe të ftuar, duke krijuar një hapësirë për nderimin e figurave të shquara të kirurgjisë, ndarjen e kujtimeve dhe zhvillimin e një sesioni shkencor mbi tema me interes profesional.
Në kuadër të konferencës u nderuan me certifikata mirënjohjeje kirurgët e ndjerë Dr. Mark Mirashi, Dr. Ramiz Hafizi, Dr. Ali Spahija, Dr. Ferit Hoti dhe Dr. Zyliha Kraja, si dhe Dr. Hamza Vneshta, i cili ishte i pranishëm në këtë aktivitet.
Drejtori i Spitalit Rajonal Shkodër, Dr. Senad Hallunaj, vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të figurave të nderuara, duke theksuar rolin e tyre në formësimin dhe zhvillimin e Shërbimit të Kirurgjisë, si edhe ndikimin e tyre në edukimin e brezave të rinj të mjekëve.
Ndërsa Shefi i Shërbimit të Kirurgjisë, Dr. Gëzim Galiqi, i cilësoi ata si figura emblematike të kirurgjisë shqiptare, të cilët me përkushtimin dhe integritetin profesional kanë lënë një trashëgimi të vyer për institucionin.
Konferenca vijoi me një sesion shkencor, ku u trajtuan tema bashkëkohore mbi menaxhimin perioperator të pacientit kirurgjikal, duke krijuar një hapësirë për shkëmbim përvojash dhe diskutime profesionale.
Konferenca u përmbyll me ceremoninë e ndarjes së certifikatave të mirënjohjes për familjarët dhe përfaqësuesit e kirurgëve të nderuar, në shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin e tyre të çmuar në shërbim të pacientëve dhe zhvillimit të Shërbimit te Kirurgjisë në Shkodër.