07/07/2026
Çfarë po ndodh me shoqërinë tonë sot?
Si është e mundur që modelet e dhunës jo vetëm të mos fshihen më nga frika e gjykimit, por të reklamohen hapur, pa asnjë lloj hezitimi?
Ato vajza, përtej dhunës çnjerëzore që ushtruan, nuk e panë problem as ta filmonin ngjarjen dhe as ta publikonin. Çfarë na tregon kjo?
Nëse e bëjnë një gjë të tillë, do të thotë se një pjesë e tyre besojnë se jo vetëm nuk do të kritikohen, por madje do të marrin edhe miratim. Ose, të paktën, kështu mendojnë.
Fatkeqësisht, kjo qasje nuk është një model i izoluar.
A nuk ishim ne, shqiptarët, dëshmitarë të dhunës psikologjike që dy të reja ushtruan publikisht në një nga emisionet më të ndjekura televizive, Ferma VIP?
Dhuna dhe presioni psikologjik që ato ushtruan ndaj një prej pjesëmarrëseve morën mbështetjen e një grupi të vogël brenda shtëpisë.
A nuk ishte njëra prej tyre që sfidoi me arrogancë moderatoren publikisht, pa iu dridhur qerpiku?
Dhe, megjithatë, nuk u mor një masë e prerë për përjashtimin e saj.
Vendimi iu la reflektimit të publikut, një reflektim ku, sigurisht, kishte vend edhe për ata që e justifikonin sjelljen.
Është njësoj si një prind që heziton të vendosë kufij të qartë ndaj një sjelljeje të papranueshme, nga frika se mos etiketohet si teper i prere, autoritar ose si dikush që "nuk ecën me kohën".
A nuk jemi përballur vazhdimisht në këto reality show me dhunë verbale që janë toleruar, e ndonjëherë edhe shfrytëzuar, nga vetë produksionet për spektakël?
Përveç pyetjes se nga buron gjithë kjo dhunë – një diskutim i gjatë dhe kompleks në vetvete – unë do të shtroja një pyetje tjetër: Çfarë modelesh po promovojmë?
Sjellja e atyre vajzave është një akt i shëmtuar, i cili duhet të na nxisë të gjithëve për reflektim, jo vetëm për atë që ndodhi, por edhe për klimën kulturore që po krijojmë.
Mjafton të mendosh se sa e vështirë është bërë sot të jesh mësues. Po ashtu edhe prindi vendiset shpesh para dilemave , e ka të vështirë të mbajë një qëndrim të qartë dhe të qëndrueshëm ndaj një sjelljeje të papranueshme, sepse ka frikë se mos dëmton fëmijën emocionalisht, se mos gjykohet ose sepse ka ndjenja faji . Por edukimi nuk është vetëm mirëkuptim dhe empati; ai kërkon edhe kufij të qartë, përgjegjësi.
Sepse mënyra se si reagojmë ndaj dhunës është po aq e rëndësishme sa vetë akti i dhunës.
Nëse dhuna tolerohet, relativizohet ose shndërrohet në spektakël, atëherë rrezikojmë t'u mësojmë brezave të rinj se agresiviteti është një mënyrë e pranueshme për të fituar vëmendje, pushtet apo miratim.