13/09/2026
PTSD-ja komplekse nuk është thjesht ankth.
Nuk janë thjesht rikthimet e pavullnetshme të kujtimeve traumatike. Nuk është thjesht hipervigjilenca apo shmangia.
Është ajo që mund të ndodhë kur trauma nuk ndikon vetëm në mënyrën se si ndihesh, por ndryshon edhe mënyrën se si e sheh veten.
Një nga gjërat më prekëse që mund të dëgjosh nga njerëzit që kanë përjetuar trauma komplekse është të thonë se “Ti nuk e kupton se çfarë më bëri kjo.”
Ngjarjet traumatike mund të kenë përfunduar, por mendja dhe trupi vazhdojnë të reagojnë sikur rreziku të mos ketë ikur kurrë.
I rikthen vazhdimisht gjërat në mendje. I përjeton sërish. Fajëson veten. Mund të ndihesh i përndjekur nga kujtimet, emocionet dhe ndjesitë.
Dhe ndoshta, më e dhimbshmja nga të gjitha, mund të fillosh të besosh se ajo që të ka ndodhur e ka dëmtuar përgjithmonë qënien tënde dhe kjo ndodh sepse trauma komplekse mund të ndikojë thellësisht në mënyrën se si e përjeton veten, njerëzit dhe botën përreth teje.
Kjo është shumë e vërtetë kur trauma përfshin "manipulim, detyrim, tradhti, izolim ose robëri, abuzim apo dëmtime të përsëritura psikologjike."
Njerëzit përreth teje të thonë:V
"Vazhdo përpara.” “Ka ndodhur vite më parë.” “Përpiqu të mos mendosh për të.”
Por trauma komplekse nuk funksionon kështu.
Efektet e saj vazhdojnë të shfaqen në emocionet e tua, në trup në sistemin nervor, në marrëdhëniet e tua, në aftësinë për të përjetuar siguri, besim dhe intimitet, madje edhe në mënyrën se si e percepton veten, identitetin tënd etj.
Dhe pjesa më e "keqe" nga të gjitha është ndjesia se "askush nuk e kupton vërtet thellësinë e asaj që të ka ndodhur".
Por të përjetosh traumë komplekse nuk do të thotë se je i dëmtuar dhe ka ikur mundesia për t'u shëruar.
Shenjat që nuk mund t'i shohësh shpesh janë më të thellat.
Dhe të mbijetuarit e traumës meritojnë të trajtohen profesionalisht, të kuptohen, dhe jo të gjykohen.