Shkendije Berisha Pacolli - Praxis für Psychologische Beratung

Shkendije Berisha Pacolli - Praxis für Psychologische Beratung Kontaktinformationen, Karte und Wegbeschreibungen, Kontaktformulare, Öffnungszeiten, Dienstleistungen, Bewertungen, Fotos, Videos und Ankündigungen von Shkendije Berisha Pacolli - Praxis für Psychologische Beratung, Wirges.

Psychologische Beraterin & Coach
• Unternehmerin
• Zertifizierte Ausbildung in Psychologischer Beratung & Coaching am Institut für Lernsysteme Hamburg
• Anerkannte Gesundheits- und Krankenpflegerin (Deutschland)
• Studium der Psychologie (Slowakei)

18/09/2026

Në fillim ishte fjala.

Por fjala nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo ka edhe fuqi psikologjike dhe shoqërore.

Psikologjia na tregon se mënyra se si formulohet një mesazh mund të ndikojë në mënyrën se si ne e kuptojmë dhe e perceptojmë një realitet. Edhe përsëritja ka peshën e vet. Kur një mesazh dëgjohet vazhdimisht, ai mund të bëhet më i njohur dhe, në rrethana të caktuara, të perceptohet edhe si më i besueshëm.

Historia na ka treguar edhe anën më të errët të fuqisë së fjalës. Propaganda dhe gjuha e urrejtjes janë përdorur për t’i ndarë shoqëritë, për të krijuar armiq dhe për ta kthyer tjetrin në kërcënim. Fjalët nuk e shkaktojnë të vetme dhunën, por mund ta përgatisin terrenin për paragjykim, përjashtim dhe dehumanizim.

Prandaj duhet të kemi kujdes sidomos me fjalët që na ndajnë në “ne” dhe “ata”, në patriotë e tradhtarë, në tanët dhe të tyre.

Në momente të ndjeshme si ky, për mua pyetja nuk është vetëm çfarë është thënë. Pyetja është çfarë bëjmë ne me atë që është thënë.

A do ta përdorim dhimbjen për ta etiketuar dhe sulmuar njëri-tjetrin, apo do ta kemi maturinë dhe urtësinë që të mos krijojmë edhe një ndarje tjetër mes nesh?

Sepse përtej individëve dhe politikës, mbetet populli.

Një popull që e ka bartur mbi vete historinë, sakrificën dhe përpjekjen për liri. Një popull prej të cilit lindi edhe UÇK-ja dhe përpjekja e armatosur për çlirim.

Dhe në fund, populli është shumë më tepër se një vendim apo një moment politik.

Populli është bartës i kujtesës sonë kolektive, i identitetit, i kulturës dhe i atdhedashurisë.

Individët dhe proceset kalojnë. Populli mbetet.

Dhe me të mbetet edhe përgjegjësia jonë që dhimbjen të mos e kthejmë në përçarje.

10/09/2026

Sot, në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes, dua të flas për një temë për të cilën ende heshtim shumë.

Për këtë temë nuk duhet të flasim vetëm më 10 shtator, por 365 ditë në vit.

Në punën time mbështes shumë njerëz që kanë humbur dikë të dashur nga vetëvrasja. Prandaj, pas çdo numri nuk shoh vetëm një statistikë — shoh një jetë, një histori dhe njerëz që vazhdojnë ta mbajnë atë dhimbje.

Dhe një mesazh për të gjithë ne: nëse vëreni se dikush pranë jush po izolohet, po mbyllet gjithnjë e më shumë në vete apo thjesht nuk duket mirë, mos e neglizhoni.

Pyeteni: “A je mirë?”
Dëgjojeni. Pa gjykuar. Pa ia minimizuar atë që ndien.

Ndoshta nuk mund t’ia zgjidhni problemet, por mund të jeni aty dhe ta ndihmoni të mos mbetet vetëm me dhimbjen e tij.

Dhe nëse ti je ai ose ajo që nuk je mirë: fol. Kërko ndihmë.

🇽🇰 Kosovë – Linja e Jetës: 0800 12345
🇩🇪 Gjermani – TelefonSeelsorge: 116 123
🚨 Në rrezik të menjëhershëm: 112

Nuk je vetëm.

Burimi i statistikave: Zyra Federale e Statistikave e Gjermanisë (Destatis) – Statistikat e shkaqeve të vdekjes, 2024.

Destatis – Të dhënat zyrtare për vetëvrasjet në Gjermani⁠

27/08/2026

Në psikologji, shumë prej modeleve tona të sjelljes lidhen me të mësuarit social. Ne formohemi duke vëzhguar, përjetuar dhe përvetësuar atë që shohim në familje dhe në mjedisin ku rritemi.

Në këtë mënyrë, nga një gjeneratë në tjetrën mund të kalojnë bindje, role, mënyra të të menduarit dhe të sjelljes, shpesh pa qenë as të vetëdijshëm për këtë.

Kjo nuk do të thotë se duhet t’i fajësojmë gjyshet, nënat, burrat apo kulturën tonë. Shumë prej tyre kanë jetuar dhe vepruar sipas asaj që kanë njohur, mësuar dhe mundësive që kanë pasur në kohën e tyre.

Por jo çdo gjë që kemi trashëguar duhet ta vazhdojmë.

Ka mentalitete që duhet t’i lëmë pas dhe për këtë ende kemi shumë punë për të bërë si shoqëri. Megjithatë, edhe kur dhuna kalon në vepër, nuk duhet të harrojmë se këto modele nuk përfaqësojnë çdo burrë, çdo grua apo çdo familje dhe as nuk mund të jenë pasqyrë e një kulture të tërë.

Stereotipet patriarkale, që e lidhin rolin e burrit me kontrollin dhe ushtrimin e pushtetit mbi gruan, janë të dëmshme për çdo marrëdhënie. Por po aq pak na ndihmon një këndvështrim që e sheh çdo burrë si të rrezikshëm.

Zgjidhja nuk gjendet te krahasimi mes gjinive apo brezave, e as te fajësimi mes burrit dhe gruas.

Unë mendoj dhe besoj fort se atë që kemi mësuar deri tani, mund ta mësojmë edhe ndryshe, sepse ndryshimi nuk fillon duke kërkuar fajtorë, por me vetëdije, përgjegjësi, respekt dhe vendosjen e kufijve të shëndetshëm.

Jo kundër njëri-tjetrit.
Por për njëri-tjetrin.

25/08/2026

Dhuna ndaj grave nuk fillon me shuplakën e parë. Aq më pak fillon me vrasjen.

Ajo fillon shumë më herët: me kontrollin, me ndjenjën e pronësisë, me dhunën psikologjike dhe me kërcënimin. Fillon me heshtjen, me mbylljen e syve dhe të veshëve nga familjarët dhe shoqëria. Pastaj, mes paragjykimeve dhe spekulimeve, kthehet shumë shpejt në një temë bisede për kafen e mëngjesit dhe, pa e kuptuar, fillojmë ta normalizojmë.

Dhuna në familje nuk ndodh vetëm në serialet turke apo në Big Brother. Ajo ndodh mes nesh, pas dyerve të mbyllura, brenda katër mureve të një shtëpie ku, nga jashtë, gjithçka duket krejtësisht normale.

Para se të pyesim: “Pse nuk ka treguar më herët?”, le të pyesim: Çfarë bëjmë ne kur një vajzë e re jo vetëm që tregon, por edhe kërkon mbrojtje? A i marrim kërcënimet seriozisht? A i zbatojmë ligjet që kemi, sidomos kur bëhet fjalë për lejen për armë, tani që jemi shtet?

Prandaj, kjo na përket të gjithëve.

Kjo nuk është çështje fajësimi mes gruas dhe burrit. Nuk është pyetja se kush është më i mirë e kush më i keq. Jemi qenie njerëzore dhe duhet të mësojmë ta respektojmë njëri-tjetrin, dinjitetin, kufijtë dhe të drejtat e njëri-tjetrit.

Sepse liria ime përfundon aty ku fillon liria jote.

Ndoshta nuk e kemi zgjedhur atë që kemi trashëguar: rolet, bindjet apo mënyrën se si jemi edukuar për vlerën e jetës së një njeriu. Por është përgjegjësia jonë të zgjedhim se çfarë do t’u lëmë trashëgimi fëmijëve tanë.

Duhet t’ua mësojmë fëmijëve tanë që në djep të njohin dhe të çmojnë vlerën e njeriut, respektin, dashurinë dhe, mbi të gjitha, kufijtë: të njohin kufijtë e tyre dhe të respektojnë kufijtë e të tjerëve. Dhe, shumë e rëndësishme, kur këto nuk respektohen, t’i mësojmë të reagojnë me kohë dhe të kërkojnë ndihmë, pa frikë dhe pa turp.

Dhuna është problem i gjithë familjes, sepse ajo rritet aty ku ne, kolektivisht, e minimizojmë dhe shumë herë e arsyetojmë veten me fjalët: “Mes burrit dhe gruas nuk duhet të përzihemi.”

Dhe kur nuk është vajza jonë, një vrasje ndaj një gruaje, shumë shpejt, si shoqëri e harrojmë.

21/08/2026

Këtë video e kam realizuar për një realitet që, fatkeqësisht, ka qenë dhe ndonjëherë ende është pjesë e jetës sonë: unë dhe bashkëshorti im nuk u kemi kushtuar gjithmonë vajzave tona aq kohë sa do të dëshironim.

Dhe ndoshta ky është ende realiteti i shumë familjeve dhe shumë prindërve të tjerë.

Nuk e ndaj këtë për t’u treguar të tjerëve se çfarë duhet të bëjnë, por si një reflektim për veten dhe për gjërat që sot ndoshta do t’i bëja ndryshe.

Shpesh shqetësohemi për kohën që fëmijët tanë kalojnë në telefon. Ua marrim telefonin dhe u themi: “Është kohë për familjen.”

Por pyetja që sot ia bëj vetes është:
Kur ua marrim telefonin fëmijëve tanë, a jemi ne vërtet të pranishëm për ta?

Sot, kur vajza ime është 25 vjeç, mendoj sa shumë kohë kam kaluar duke pastruar, gatuar dhe duke u marrë me obligimet e përditshme. Sa herë kam menduar: “Vetëm ta mbaroj edhe këtë, pastaj do të merrem me vajzat e mia.”

Jam munduar gjithmonë të bëj më të mirën si nënë. Por sot e kuptoj se shumë gjëra që atëherë më dukeshin urgjente dhe të rëndësishme, në të vërtetë mund të prisnin.

Ndoshta edhe unë, pa e kuptuar, kam përsëritur modele me të cilat jam rritur: së pari puna, pastërtia, obligimet dhe shtëpia… e pastaj kënaqësia dhe koha për njëri-tjetrin.

Edhe pse kam studiuar dhe kam lexuar shumë libra, sot e kuptoj se ndonjëherë modelet e rrënjosura brenda meje dhe reagimet e sistemit tim nervor kanë qenë më të forta se çdo mësim apo libër.

Sepse fëmijët tanë nuk mësojnë vetëm nga ajo që u themi. Ata e ndiejnë stresin tonë, qetësinë tonë dhe energjinë tonë.

Ata mësojnë nga ajo që ne jetojmë, jo vetëm nga ajo që ne u mësojmë.

Sot fëmijët tanë përballen me një botë që ne nuk mund ta kontrollojmë plotësisht. Telefonat, rrjetet sociale dhe ndikimet nga jashtë janë pjesë e jetës së tyre.

Por ndoshta nuk duhet vetëm të shqetësohemi se sa kohë kalojnë në telefon apo kush po ndikon tek ata.

Sepse kur ne nuk jemi të pranishëm, dikush tjetër do ta zërë atë hapësirë.

Nuk dua që kjo video t’i bëjë prindërit të ndihen në faj. Do të doja vetëm që, ashtu siç më bëri mua, të na ndalë për një moment dhe të na bëjë të pyesim veten:

Çfarë është vërtet e rëndësishme sot?

Sepse shtëpia mund të presë.
Rrobat mund të presin.
Punët nuk mbarojnë kurrë.

Por fëmijëria e tyre kalon.
Dhe ajo kohë nuk kthehet më.

Ndoshta pyetja nuk është vetëm sa kohë kalojnë fëmijët tanë në telefon, por:

Kur ua marrim telefonin, çfarë po u japim në vend të tij?

Ndoshta shpëtimi i fëmijëve tanë nga bota virtuale fillon pikërisht në shtëpi.
Fillon me ne.
Me kohën tonë.
Me praninë tonë.
Dhe mbi të gjitha, me dashurinë tonë.

15/08/2026

Ky postim nuk është akuzë. Nuk është përgjithësim dhe as gjykim ndaj mënyrës se si prindërit shqiptarë i kanë rritur apo vazhdojnë t’i rrisin djemtë e tyre.

Është një ftesë për reflektim.

Ndoshta shumë prej fjalëve me të cilat janë rritur djemtë tanë — “Mos qaj.” “Bëhu burrë.” “Duhet të jesh i fortë.” — janë thënë me qëllimin më të mirë.

Sepse për shumë gjenerata para nesh, realiteti ka qenë tjetër.

Shoqëria shqiptare është formuar përmes periudhave të luftës, represionit, dëbimeve, varfërisë dhe pasigurisë, ku mbrojtja e familjes, shtëpisë dhe identitetit shpesh ka qenë çështje mbijetese.

Në një realitet të tillë, forca, qëndrueshmëria, sakrifica dhe aftësia për të duruar kanë qenë vlera të rëndësishme. Ndoshta pikërisht këto vlera i kanë ndihmuar gjeneratat para nesh të përballojnë një realitet që ka kërkuar shumë prej tyre.

Prandaj, qëllimi nuk është ta gjykojmë të kaluarën me standardet e së tashmes.

Por ajo që i ka shërbyer një shoqërie për të mbijetuar dje, nuk duhet domosdoshmërisht të jetë gjithçka që u duhet fëmijëve të saj për të jetuar nesër.

Sot, djemtë tanë po rriten në një realitet tjetër: me rrjete sociale, botë virtuale, krahasim të vazhdueshëm, presion për sukses, pritshmëri të larta dhe një ritëm jete që shumë prej nesh nuk e kemi përjetuar në adoleshencën tonë.

Përmes profesionit tim, për mua është e rëndësishme të shoh edhe përtej shoqërisë sonë — edhe realitetin e vendit ku jetoj dhe punoj.

Në Gjermani, në vitin 2023, 73% e personave që vdiqën nga vetëvrasja ishin burra.

Nuk e përmend këtë shifër për ta krahasuar Gjermaninë me Kosovën apo një shoqëri me tjetrën.

Por më kujton një prej atyre thënieve të të parëve tanë, në të cilat shpesh fshihet shumë urtësi:

“Çka sheh te kojshia, prite te shpia.”

Jo për të pasur frikë.
Por për të parë. Për të mësuar. Dhe, kur kemi mundësi, për të parandaluar.

Sepse zhvillimi, siguria ekonomike, sistemi shëndetësor dhe mirëqenia materiale nuk e bëjnë domosdoshmërisht njeriun më të lumtur apo emocionalisht më të qëndrueshëm.

Ndoshta forca është diçka shumë më e gjerë sesa kemi mësuar ta përkufizojmë.

Forcë është të qëndrosh.
Por forcë është edhe të thuash kur nuk mundesh më.

Forcë është të mbash përgjegjësi.
Por forcë është edhe të kërkosh ndihmë.

Forcë është të luftosh për atë që ka rëndësi për ty.
Por forcë është edhe të flasësh për atë që të dhemb.

Forcë është ta pranosh dështimin pa e konsideruar veten të dështuar.

Dhe ndoshta pjekuria është pikërisht kjo: ta pranosh veten dhe jetën me të gjitha ngjyrat e saj — me forcën dhe brishtësinë, me sukseset dhe dështimet, me ngritjet dhe zbritjet.

Një burrë nuk është më pak burrë kur qan.
Nuk është më pak burrë kur kërkon ndihmë.
Nuk është më pak burrë kur pranon se diçka e ka lënduar.

Përkundrazi, ndoshta duhet shumë forcë për të mos pasur nevojë të dukesh gjithmonë i fortë.

Ndoshta nuk kemi nevojë ta hedhim poshtë atë që kemi trashëguar.

Por kemi të drejtën — dhe përgjegjësinë — të pyesim veten se çfarë prej saj ende u shërben fëmijëve tanë dhe çfarë jo.

Jo çdo gjë që trashëgojmë duhet ta braktisim.
Por as çdo gjë që trashëgojmë duhet ta përcjellim.

Shënim: Personat në video interpretojnë role. Përmbajtja nuk pasqyron përvojat e tyre personale. Pamjet publikohen me pëlqimin e personave të paraqitur dhe, për të miturin, me pëlqimin e prindit/kujdestarit ligjor.

08/08/2026

Një nga studimet më të gjata mbi jetën dhe mirëqenien njerëzore, “Harvard Study of Adult Development”, na tregon se marrëdhëniet e mira dhe të qëndrueshme janë ndër faktorët më të rëndësishëm për mirëqenien dhe shëndetin tonë.

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe një nga vlerat më të mëdha që kemi pasur tradicionalisht si shqiptarë: familja dhe mbështetja e njëri-tjetrit.

Kur nuk kemi qenë mirë, shumica prej nesh kemi pasur dikë afër. Gjyshin, gjyshen, hallën, tezen, axhën, dajën apo thjesht një njeri tonin me të cilin kemi mundur të flasim dhe ta ndajmë atë që na rëndonte.

Por sot jeta ka ndryshuar. Jemi një popull me një diasporë shumë të madhe dhe shumë prej familjeve tona janë të shpërndara. Jo të gjithë e kemi më pranë atë rrjet mbështetës që dikur ishte pjesë e përditshmërisë sonë.

Prandaj, kur nuk e gjejmë këtë mbështetje afër, duhet të kemi guximin ta kërkojmë edhe diku tjetër.

Një psikolog nuk e zëvendëson familjen. Ai është një profesionist i kualifikuar që mund të na ofrojë një hapësirë të sigurt dhe profesionale kur kemi nevojë për të.

Nëse nuk je mirë, mos prit derisa të bëhet shumë rëndë. Fol. Kërko mbështetje. Kërko ndihmë profesionale.

Sepse të kërkosh ndihmë nuk është as dobësi, e as marre.

Video e shkeputur nga: JETASOT -KTV

05/08/2026

Ky rrëfim flet për rrënjët tona, për sakrificat, për forcën dhe për dashurinë me të cilën një brez ndërtoi të ardhmen e brezit tjetër.

Gjenerata e parë e grave shqiptare në diasporë nuk pati luksin e një jete të lehtë. Ato punuan, sakrifikuan dhe mbijetuan, që fëmijët e tyre të kishin mundësi më të mëdha. Janë ato që ndërtuan themelet mbi të cilat ne ecim sot.

Por çdo brez bart sfidat e veta.

Ne, brezi i dytë, u rritëm mes dy kulturave. Mësuam të arsimohemi, të bëhemi të pavarura dhe të integrohemi në shoqërinë ku jetojmë. Njëkohësisht, u rritëm me përgjegjësinë për të ruajtur gjuhën, traditat dhe identitetin shqiptar. Për shumë prej nesh, kjo nënkuptonte një përpjekje të vazhdueshme për t’u ndier pjesë e dy botëve.

Sot kemi më shumë mundësi se brezi para nesh. Por kemi edhe ritme më të shpejta, përgjegjësi të reja dhe sfida që shpesh nuk duken nga jashtë.

Prandaj lind pyetja: a po jetojmë plotësisht, apo ende po përpiqemi të përmbushim pritshmëritë e të gjithëve?

Kjo bisedë nuk kërkon fajtorë. Ajo na fton të dëgjojmë, të kuptojmë dhe të nderojmë njëra-tjetrën. Të vlerësojmë sakrificat e brezit të parë dhe, njëkohësisht, të pranojmë sfidat emocionale dhe shoqërore që ka përjetuar brezi ynë.

Sepse vetëm kur e pranojmë se kemi bartur dy identitete, se ndonjëherë jemi ndier mes dy botëve dhe se kjo na ka lënë plagë, por edhe forcë, mund të pajtohemi me veten.

Dhe ndoshta kjo është dhurata më e madhe që mund t’u lëmë fëmijëve tanë: jo barrën për të zgjedhur mes dy kulturave, por lirinë për t’i jetuar të dyja me krenari, dinjitet dhe dashuri.

Që brezat e rinj të mos kenë nevojë vetëm të mbijetojnë, por të jetojnë të plotë, duke e ndjerë se u përkasin rrënjëve të tyre dhe njëkohësisht botës ku ndërtojnë jetën e tyre.

Ndoshta në këtë rrëfim do të gjeni edhe një pjesë të historisë suaj.

Çfarë mendoni ju? A po jetojnë më mirë brezat e rinj, apo sfidat thjesht kanë marrë një formë tjetër?

01/08/2026

Informacioni nuk është diagnozë

Sot kemi qasje të menjëhershme në një sasi të madhe informacioni për shëndetin, përfshirë edhe shëndetin mendor. Kjo është një mundësi e mirë për t’u informuar, por jo për t’u vetëdiagnostikuar.

Për personat që përjetojnë çrregullime të ankthit, kërkimi i vazhdueshëm i informacionit mund të kthehet në një kërkim të vazhdueshëm të sigurisë (reassurance seeking). Në vend që ta ulë ankthin, ai shpesh e mirëmban ose e rrit atë. Çdo ndjesi trupore fillon të analizohet, ndërsa kërkimi i vazhdueshëm në internet ose përmes inteligjencës artificiale mund të krijojë një rreth vicioz, të njohur si kiberkondri (cyberchondria).

Vetëdiagnostikimi është një nga gabimet më të shpeshta. Simptomat mund të jenë të ngjashme, por ankthi është një përjetim individual dhe subjektiv. Përvojat e të tjerëve, informacioni në internet apo përgjigjet e inteligjencës artificiale nuk mund ta zëvendësojnë vlerësimin klinik të një profesionisti.

Informohuni, por mos u vetëdiagnostikoni. Nëse çrregullimi i ankthit po jua prish cilësinë e jetës, po ju kufizon në funksionimin e përditshëm ose po ju largon nga aktivitetet që më parë i kryenit pa vështirësi, atëherë është koha të kërkoni mbështetje profesionale. Informacioni rrit ndërgjegjësimin, por diagnoza dhe trajtimi janë përgjegjësi e profesionistëve të shëndetit mendor.

27/07/2026

Kjo video nuk është krijuar për të gjykuar, përqeshur apo nënvlerësuar askënd, as personat që kërkojnë mbështetje, as profesionistët e shëndetit mendor.

Qëllimi i saj është të nxisë reflektim dhe të hapë një bisedë për një temë që ende shoqërohet me stigma dhe paragjykime. Stigma ndaj shëndetit mendor nuk është vetëm pjesë e shoqërisë shqiptare, por është një sfidë globale. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në botë jetojnë me çrregullime të shëndetit mendor.

Të kujdesesh për shëndetin mendor është një nga format më të rëndësishme të kujdesit ndaj vetes. Nuk është turp dhe nuk është dobësi. Është përgjegjësi ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë.

Edhe iniciativa personale ka rëndësi. Nga psikologjia dimë se motivimi autonom, pra kur personi e sheh ndryshimin si të rëndësishëm për veten dhe përfshihet me vullnetin e tij, lidhet me angazhim dhe rezultate më të mira. Mbështetja nga të tjerët mund të jetë e vlefshme, por përfshirja aktive e vetë personit mbetet pjesë e rëndësishme e procesit.

Të kërkosh mbështetje profesionale nuk do të thotë që dikush tjetër do t’i zgjidhë problemet për ty. Profesionisti i shëndetit mendor nuk është aty për të kërkuar fajtorin apo për të vendosur kush ka të drejtë dhe kush ka gabim. Fokusi është te personi: Si kanë ndikuar përvojat tek unë? Si i përjetoj ato? Si reagoj? Cilat modele përsëris? Cilat janë burimet dhe aftësitë e mia? Çfarë mund të kuptoj dhe të ndryshoj te vetja?

Një seancë është vetëm fillimi. Ndryshimi kërkon kohë, durim, sinqeritet, vetëreflektim dhe bashkëpunim.

Sot kemi shumë burime informacioni, internetin, rrjetet sociale dhe inteligjencën artificiale. Ato mund të na informojnë dhe orientojnë. Por informacioni nuk është diagnozë. Teknologjia nuk e zëvendëson empatinë, dëgjimin aktiv dhe kontaktin njerëzor. Kur nevojitet mbështetje profesionale, ajo duhet kërkuar te profesionistët e kualifikuar të shëndetit mendor.

Ndryshimi fillon pikërisht kur merr vendimin për t’u kujdesur, më në fund, edhe për veten tënde.

Adresse

Wirges
56422

Telefon

+4915233630773

Webseite

Benachrichtigungen

Lassen Sie sich von uns eine E-Mail senden und seien Sie der erste der Neuigkeiten und Aktionen von Shkendije Berisha Pacolli - Praxis für Psychologische Beratung erfährt. Ihre E-Mail-Adresse wird nicht für andere Zwecke verwendet und Sie können sich jederzeit abmelden.

Verknüpfungen

Teilen