Aurum - Qendra për Këshillim Familjar dhe Mbështetje Psiko-Sociale

Aurum - Qendra për Këshillim Familjar dhe Mbështetje Psiko-Sociale Qendra për Këshillim Familjar - Aurum

31/08/2026

NJË VIT I RI SHKOLLOR, NJË PËRGJEGJËSI MË E MADHE PËR NE.

Fillimi i vitit shkollor është gjithmonë një moment i veçantë. Për fëmijët është fillimi i një rruge të re, me libra, mësime, shokë, emocione dhe sfida të reja.
Për prindërit, ky duhet të jetë edhe një moment për të shtuar kujdesin, vëmendjen dhe praninë e tyre në jetën e fëmijës. Kujdesi prindëror nuk duhet të fillojë vetëm atëherë kur shkolla na thërret apo kur shfaqet një problem. Ai duhet të jetë i pranishëm çdo ditë, përmes një bisede, një pyetjeje, një dëgjimi të kujdesshëm dhe një vëzhgimi të dashur.

Në një kohë kur fëmijët përballen me shumë sfida, kujdesi për mirëqenien dhe shëndetin e tyre mendor është po aq i rëndësishëm sa rezultatet në mësime. Një fëmijë mund të ketë nota të shkëlqyera, por nëse ndihet i vetmuar, i pasigurt, i frikësuar apo i padëgjuar, diçka e rëndësishme mungon. Prandaj, krahas pyetjes “Si shkove në shkollë?”, ndoshta duhet të mësohemi të pyesim edhe: “Si u ndjeve sot?”, “A pati diçka që të shqetësoi?”, “A ishte dikush që të lëndoi apo që kishte nevojë për ty?”

Të mbjellim empatinë që në moshë të hershme. T’u mësojmë të kuptojnë ndjenjat e tjetrit, të respektojnë dallimet, të mos tallen me dobësitë e dikujt dhe të mos heshtin kur shohin një padrejtësi. Pikërisht këtu fillon edhe parandalimi i bullizimit.

Prindërit dhe mësuesit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve në sjelljen e fëmijëve, sepse jo çdo fëmijë di të thotë se po përjeton diçka të vështirë. Ndonjëherë heshtja, tërheqja, frika për të shkuar në shkollë apo ndryshimi i papritur i sjelljes janë mënyra me të cilat fëmija kërkon ndihmë pa e thënë me fjalë.

Para se t’u mësojmë fëmijëve shkronjat dhe numrat, t’u mësojmë njerëzoren. Sepse një shkronjë mund të ndërtojë një fjalë dhe një numër mund të zgjidhë një problem, por njerëzorja ndërton karakterin. Njohuritë mund ta ndihmojnë një fëmijë të ketë sukses në jetë, ndërsa empatia, respekti, përgjegjësia dhe mirësia e ndihmojnë të bëhet një njeri i mirë.

Prandaj, në këtë fillim të vitit shkollor, le t’u japim fëmijëve jo vetëm çanta, libra dhe mjete shkollore, por edhe diçka shumë më të rëndësishme: kohën tonë, vëmendjen tonë, dëgjimin tonë dhe dashurinë tonë. Sepse edukimi i vërtetë fillon aty ku fëmija ndihet i sigurt, i respektuar dhe i dashur.

Qendra Aurum ju uron një fillim të mbarë të vitit shkollor, me dije, mirësi, empati dhe shumë kujdes për fëmijët tanë.

20/08/2026

Jeta nën hijen e pritshmërive të të tjerëve

Një nga gjërat që ia vjedh njeriut më së shumti jetën, pa e kuptuar se po humbet diçka, është përpjekja e vazhdueshme për të qenë i pranuar nga të gjithë.

Zgjedh një drejtim studimi sepse kështu dëshiron familja. Pranon një punë sepse njerëzit e konsiderojnë të përshtatshme. Blen gjëra për t’u treguar të tjerëve se është mirë. Flet në një mënyrë që të mos shqetësojë askënd. Dhe kështu kalon një pjesë të madhe të jetës duke u marrë me një pyetje të vetme:

“Çfarë do të thonë njerëzit për mua?”

E çuditshmja është se njeriu mund t’ia dalë.

Mund të bëhet i dashur, i pranuar dhe i admiruar nga shumë njerëz, por gjatë kësaj rruge të humbasë diçka shumë më të rëndësishme: njohjen e vetvetes.

Sepse kur njeriu mësohet t’i pyesë të tjerët për çdo gjë, dalëngadalë humbet aftësinë për ta dëgjuar zërin e tij të brendshëm.

Kjo nuk do të thotë që njeriu duhet të jetojë pa marrë parasysh të tjerët, të refuzojë këshillat apo ta përdorë pavarësinë si justifikim për egoizëm.

Njeriu është qenie shoqërore. Ka nevojë për të tjerët, për këshillë, kritikë dhe orientim.

Por ka një dallim të madh mes të përfitosh nga mendimi i njerëzve dhe të jetosh rob i mendimit të tyre.

E para është vetëdije; e dyta është varësi.

Një nga pasojat më të rrezikshme të kësaj varësie është se njeriu fillon ta zbukurojë jetën e tij në vend që ta ndërtojë atë.

Kujdeset më shumë të duket i suksesshëm sesa të jetë vërtet i suksesshëm.

Kërkon imazhin që kënaq të tjerët, në vend të jetës që i jep atij kuptim.

Pastaj, në një fazë të vonshme, mund të zbulojë se shumë nga vendimet e mëdha të jetës së tij nuk kanë qenë në të vërtetë vendimet e tij, por përgjigje të heshtura ndaj pritshmërive të të tjerëve.

Prandaj, herë pas here, njeriu ka nevojë të largohet pak nga zhurma e pritshmërive dhe ta pyesë veten me sinqeritet:

“Sikur askush të mos më shihte, askush të mos më lavdëronte dhe askush të mos më qortonte… çfarë do të zgjidhja?”

Kjo pyetje nuk na fton të izolohemi nga njerëzit, por ta rimarrim përgjegjësinë për jetën tonë.

Nuk është e nevojshme që njerëzit të duartrokasin çdo zgjedhje tonën, t’i kuptojnë të gjitha vendimet tona apo të pajtohen me çdo rrugë që marrim.

Mjafton që zgjedhjet tona të mbështeten në vetëdije, vlera dhe përgjegjësi.

Sepse njeriu nuk mund ta kalojë tërë jetën duke kërkuar lejen e të tjerëve për të qenë vetvetja.

Ai që jeton gjatë duke kërkuar kënaqësinë e njerëzve, mund të arrijë në fund ta fitojë atë… por të mos e gjejë më veten.

Dr. Abdulkerim Bekkār

10/08/2026

Qëllimi i psikoterapisë nuk është që ta sjellë klientin në një gjendje lumturie, por t'i sigurojë atij qëndrueshmëri, këmbëngulje dhe durim, të cilat do ta ndihmojnë atë të durojë vuajtjet e tij më lehtë, pasi një kuptim i plotë i jetës kërkon një ekuilibër midis vuajtjeve dhe gëzimit.

- Carl Gustav Jung

Nga Yll Avdijaj

06/08/2026

📢 Jemi rikthyer!

Pas pushimit vjetor, Qendra Aurum ka rifilluar punën dhe është sërish pranë jush me seanca këshillimi dhe mbështetje profesionale.

Nëse po kaloni sfida emocionale, vështirësi në marrëdhënie, stres, ankth, apo thjesht keni nevojë për një hapësirë të sigurt për të biseduar, ekipi ynë është gati t’ju mirëpresë me përkushtim dhe profesionalizëm.

✔️ Këshillim individual
✔️ Këshillim për çifte dhe familje
✔️ Mbështetje psikologjike për fëmijë, adoleshentë dhe të rritur

🌿 Ndonjëherë, vendimi më i rëndësishëm është të kujdeseni për veten.

Për rezervim dhe informata, na kontaktoni në⤵️

📞078 389 121

“S’ka problem… kur të rritet, do ta mësojë.”Disa prindër mendojnë se fëmija mund ta kompensojë më vonë çdo gjë që i ka m...
30/07/2026

“S’ka problem… kur të rritet, do ta mësojë.”

Disa prindër mendojnë se fëmija mund ta kompensojë më vonë çdo gjë që i ka munguar në fëmijëri, mjafton të përpiqet pak më shumë kur të rritet. Por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë.

Njeriu nuk mëson njësoj në çdo etapë të jetës. Ka vite kur është më i gatshëm të përvetësojë gjuhën, vite të tjera kur ndërtohen zakonet, pastaj formohet ndërgjegjja, e më vonë fillon të zbulojë identitetin dhe veten. Çdo periudhë lë gjurmën e saj të veçantë, e cila vështirë se mund të zëvendësohet më vonë.

Prandaj, një fëmijë që nuk dëgjon përralla apo tregime në vitet e para të jetës, mund të mësojë të lexojë kur të rritet, por ndoshta nuk do ta dojë leximin me të njëjtin pasion si ai që është rritur me librin që në vogëli.

Fëmija që nuk gjen dikë ta dëgjojë me vëmendje, mund të mësojë të flasë bukur, por mund ta ketë të vështirë të shprehë ndjenjat e tij me besim dhe siguri.

Ndërsa ai që nuk mësohet të mbajë përgjegjësi në moshën e duhur, mund ta kuptojë kuptimin e përgjegjësisë kur të rritet, por shpesh do ta ketë më të vështirë ta zbatojë atë në jetën e përditshme.

Edukimi nuk është vetëm transmetim njohurish; ai është shfrytëzim i mençur i kohës. Çdo moshë sjell një mundësi që mund të mos përsëritet më, dhe çdo ditë e fëmijërisë së një fëmije është ose një mundësi për ta ndërtuar, ose një humbje që më vonë vështirë mund të rikuperohet.

Pikërisht për këtë arsye, një nga fjalitë më të rrezikshme që dëgjohet nga disa prindër është:

“S’ka problem… kur të rritet, do ta mësojë.”

Është e vërtetë se njeriu mëson shumë gjëra kur rritet, por disa prej tyre i mëson me një çmim shumë më të lartë, me më shumë mund dhe me rezultate më të kufizuara.

Fëmija nuk ka nevojë gjithmonë për më shumë mësime. Ai ka nevojë ta jetojë fëmijërinë ashtu siç duhet: të luajë në kohën e duhur, të lexojë në kohën e duhur, të gabojë në kohën e duhur dhe të marrë përgjegjësi që i përshtaten moshës së tij, gjithmonë në kohën e duhur.

Sepse koha në edukim nuk është një enë neutrale ku ndodhin gjërat, por është vetë një pjesë thelbësore e procesit të edukimit.

Prandaj, dhurata më e madhe që prindërit mund t’u bëjnë fëmijëve të tyre nuk është një shkollë prestigjioze, as një kurs shtesë dhe as pajisja më e fundit teknologjike.

Dhurata më e çmuar është të mos lejojnë që ditët e fëmijërisë të kalojnë pa e përmbushur misionin e tyre.

Dr. Abdul Kerim Bekar

Investimi më i rëndësishëm është ai në mirëqenien tuaj.Në një shoqëri ku ritmi i jetës dhe sfidat ndryshojnë vazhdimisht...
19/07/2026

Investimi më i rëndësishëm është ai në mirëqenien tuaj.

Në një shoqëri ku ritmi i jetës dhe sfidat ndryshojnë vazhdimisht, mbështetja profesionale është një zgjedhje e mençur, jo vetëm zgjidhje në kohë vështirësie.

Qendra Aurum ofron shërbime profesionale në:
✔️ Këshillim psikologjik
✔️ Psikoterapi individuale, në çift dhe familjare
✔️ Mbështetje për fëmijë dhe adoleshentë
✔️ Programe inovative për zhvillim kognitiv dhe emocional
✔️ Trajnime dhe edukim për mirëqenien psikologjike

Qasja jonë bazohet në profesionalizëm, konfidencialitet dhe përkushtim ndaj zhvillimit të individit dhe familjes.

Qendra Aurum – Partneri juaj për mirëqenie, zhvillim dhe mbështetje profesionale.

Për informata dhe rezervim në⤵️

📞 078 389 121

15/06/2026

Ndjenja e fajësisë: një tjetër prishës i qetësisë së brendshme

Ndjenja e fajësisë shpesh lind gradualisht, herë si rezultat i një veprimi real që bie ndesh me vlerat tona, e herë si pasojë e standardeve të larta, pritshmërive të tepruara apo edhe ndikimeve të jashtme që na bëjnë të ndjehemi përgjegjës më shumë seç duhet; kështu, pa e kuptuar plotësisht, individi mund të fillojë ta mbajë këtë ndjenjë vazhdimisht brenda vetes, duke e shndërruar atë në një barrë emocionale që e cenon qetësinë dhe ekuilibrin e tij.
Në vazhdimësi, kur fajësia nuk përpunohet siç duhet, ajo mund të ndikojë në mënyrë të thellë në përjetimet e përditshme, duke krijuar mendime vetëkritike, ulje të vetëvlerësimit dhe një tendencë për ta ndëshkuar veten, madje edhe në situata ku gabimi është i vogël ose tashmë i tejkaluar; ndërkohë, në disa raste, ajo mund të çojë në tërheqje sociale, ankth apo vështirësi në marrëdhënie, pasi individi mbetet i mbërthyer në të kaluarën, në vend që të lëvizë përpara.
Megjithatë, edhe kur faji është real, mënyra se si i qasemi atij bën dallimin, sepse pranimi i përgjegjësisë në mënyrë të vetëdijshme dhe të balancuar mund të shërbejë si një hap drejt rritjes personale, ndërsa mbajtja e fajësisë në formë të zgjatur dhe ndëshkuese vetëm sa e thellon lodhjen emocionale; prandaj, është e rëndësishme që, përveç reflektimit dhe korrigjimit të sjelljes, individi të mësojë edhe të falë veten, duke e parë gabimin jo si një etiketë të përhershme, por si një përvojë nga e cila mund të mësohet.
Në fund, ndjenja e fajësisë mund të jetë e dobishme vetëm kur na orienton drejt përgjegjësisë dhe ndryshimit, por bëhet e dëmshme kur na mban të bllokuar në vetëgjykim të vazhdueshëm.

Mesazh:
Prano gabimin, korrigo atë që mundesh dhe liroje veten nga barra që nuk të lejon të ecësh përpara.

14/06/2026

JEPI FUND KËTIJ CIKLI

Nëse vini nga një familje pijanecësh, le të përfundojë ai cikël me ju. Le të mos kalojë kurrë dehja përmes jush te brezi tjetër.

Nëse vini nga një familje e braktisur, ku askush nuk arrin të mbarojë shkollën ose të shkojë në universitet; përfundoni atë cikël dhe arrini nivelin më të lartë në studim, provoni se edhe pema juaj familjare mund të prodhojë një intelektual.

Nëse martesat e të afërmit tuaj nuk zgjasin kurrë, martesa e prindit tuaj ishte një zhgënjim; përfundojeni atë cikël, kur të martoheni, keni një martesë të ndërtuar që të zgjasë.

Nëse je burrë dhe babai yt ka rrahur nënën tënde; përfundoje atë cikël, ji e kundërta e babait tënd dhe duaje gruan tënde ashtu siç bën një burrë i vërtetë.

Nëse vini nga një familje fisnore ku vendimet merren përmes lenteve fisnore; mbylli ciklin, tregojini familjes tuaj se dashuria nuk njeh fis.

Nëse familja nga vini ka jetuar në varfëri; përfundoni atë cikël, fitoni para, ngritni familjen tuaj drejt pasurisë.

Nëse anëtarët e familjes suaj njihen kryesisht për mediokritet ose veprime të turpshme; përfundojeni atë cikël, jini të shkëlqyer dhe të suksesshëm, sillni krenarinë e mbiemrit tuaj.

Nëse njerëzit nga familja juaj njihen si të këqij, të ftohtë dhe të duruar; përfundoni atë cikël, punoni për të qenë miqësorë, të ngrohtë dhe të afrueshëm.

Nëse familja juaj ka qenë e përfshirë në magji, vetëvrasje, mallkime dhe pabesi; përfundoni atë cikël, prezantoni Zotin në trungun tuaj familjar, deklaroni se për mua dhe shtëpinë time do t'i shërbejmë Zotit!

Ju nuk keni pse t'i bartni mangësitë në familjen tuaj deri në brezin e ardhshëm. Duajeni familjen tuaj, por mësoni nga gabimet e tyre. Ju nuk keni fjalë në përcaktimin e familjes në të cilën keni lindur, por mund të përcaktoni se kush do të bëheni dhe llojin e së ardhmes dhe familjes që do të keni. Vendimet tuaja ndikojnë në brezat që do të vijnë.

përkthim.
Yll Avdijaj

05/06/2026

Pse disa njerëz respektojnë më shumë ata që i lëndojnë sesa ata që i trajtojnë me mirësi?

Në pamje të parë duket paradoksale. Do të prisnim që njeriu të afrohej me ata që e vlerësojnë dhe të largohej nga ata që e nënçmojnë. Por realiteti njerëzor shpesh është më kompleks.
Ndonjëherë, nevoja për t'u pranuar dhe vlerësuar bëhet aq e fortë, saqë njeriu fillon të kërkojë miratimin pikërisht nga ata që nuk ia japin. Çdo shenjë e vogël vëmendjeje nga një person kritik ose i ftohtë fitohet me shumë përpjekje dhe përjetohet si diçka me vlerë të madhe.
Shpesh kjo lidhet me përvoja të hershme në jetë, ku dashuria, vlerësimi ose siguria emocionale kanë qenë të kushtëzuara. Në këto raste, njeriu mund të mësojë pa vetëdije se duhet të luftojë për dashurinë dhe jo thjesht ta marrë atë si diçka të natyrshme.

Ndërkohë, mirësia, respekti dhe mbështetja e sinqertë mund të merren si të mirëqena, jo sepse nuk kanë vlerë, por sepse nuk kërkojnë përpjekje për t'u fituar.
Shëndeti emocional fillon kur mësojmë të dallojmë ndryshimin mes:
✔️ respektit dhe frikës,
✔️ dashurisë dhe varësisë emocionale,
✔️ vlerësimit dhe nevojës së vazhdueshme për miratim.

Ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është: Pse ai person nuk më vlerëson?
Por: Pse vazhdoj të kërkoj vlerësimin tim tek ai person?

Çfarë mendoni ju? A keni vënë re raste kur njerëzit përpiqen më shumë të fitojnë respektin e atyre që i lëndojnë sesa të vlerësojnë ata që i trajtojnë me mirësi?

1 Qershori – Dita e FëmijëveNë një botë që ndryshon me shpejtësi dhe ku fëmijët përballen me gjithnjë e më shumë stimuj,...
01/06/2026

1 Qershori – Dita e Fëmijëve

Në një botë që ndryshon me shpejtësi dhe ku fëmijët përballen me gjithnjë e më shumë stimuj, presione dhe sfida, 1 Qershori nuk është vetëm një ditë feste, por një kujtesë e thellë për përgjegjësinë që kemi ndaj tyre.

Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për kujdes fizik dhe arsimim, por edhe për një mbrojtje të fortë të shëndetit të tyre mendor – të atij ekuilibri të brendshëm që formëson mënyrën se si ata e shohin veten dhe botën përreth. Në kohët moderne, ku ndikimet e jashtme janë të shumta dhe shpesh kontradiktore, është detyra jonë të krijojmë hapësira të sigurta ku fëmijët mund të rriten me qetësi, me vetëbesim dhe me ndjesinë e sigurisë emocionale.

Po aq e rëndësishme është edhe mbrojtja e identitetit dhe natyrshmërisë së tyre – jo si një kufizim, por si një kujdes i vazhdueshëm për të mos e humbur thelbin e pastër të fëmijërisë mes presioneve, modeleve dhe ndikimeve që nuk gjithmonë i shërbejnë zhvillimit të shëndetshëm të tyre.

Le të jetë kjo ditë një thirrje për më shumë vëmendje, më shumë dashuri të vetëdijshme dhe më shumë përgjegjësi në mënyrën si i udhëheqim fëmijët tanë drejt së ardhmes. Sepse fëmijëria nuk është vetëm një fazë e jetës – është themeli mbi të cilin ndërtohet e gjithë jeta.


Address

Ulica Vtora Makedonska Brigada 14/5
Skopje
1000

Telephone

+38978389121

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Aurum - Qendra për Këshillim Familjar dhe Mbështetje Psiko-Sociale posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Practice

Send a message to Aurum - Qendra për Këshillim Familjar dhe Mbështetje Psiko-Sociale:

Shortcuts

Share