17/03/2025
Fëmija im ka vështirësi në të folur
– A mjaftojnë vetëm seancat e terapisë së stimulimit me psikolog.
Kur një fëmijë ka vështirësi në të folur, shumica e prindërve kërkojnë ndihmë profesionale dhe e dërgojnë tek një psikolog për seanca stimulimi.
Shumë prindër shpresojnë se fëmija do të fillojë të flasë vetëm falë punës së terapeutit. Por realiteti është ky: nëse nuk ka vazhdimësi të stimulimit edhe në shtëpi, progresi do të jetë shumë i ngadaltë ose nuk do të ndodhë fare.
Pse ndodh kjo?
🧩 Seancat e terapisë zgjasin 45 minuta, disa herë në javë. Gjatë gjithë pjesës tjetër të kohës, fëmija është në një ambient tjetër, kryesisht me prindërit. Nëse në këtë kohë nuk praktikohet ajo që mësohet në terapi, fëmija nuk ka mundësi të forcojë aftësitë e reja.
🧩 Terapia kërkon bashkëpunim prindër- terapeut.
Një psikolog mund të drejtojë procesin dhe të përdorë teknika efektive, por është prindi ai që duhet t’i zbatojë në jetën e përditshme udhëzimet e marra. Nëse prindi nuk angazhohet, përparimi padyshim se do të jetë minimal.
🧩 Mjedisi i përditshëm ndikon më shumë se terapia. Një fëmijë mëson gjuhën përmes ndërveprimit të vazhdueshëm me prindërit, përmes lojës, bisedave dhe aktiviteteve të përditshme. Nëse fëmija kalon shumë kohë në telefon ose TV dhe nuk ka stimulim verbal nga prindërit, terapia nuk mund të bëjë mrekulli.
Çfarë mund të bëni ju si prindër për ta ndihmuar fëmijën?
✅ Bashkëpunoni ngushtë me terapistin. Pyetni për teknikat që mund të përdorni në shtëpi dhe aplikojini çdo ditë.
✅ Ulni ekspozimin ndaj ekraneve dhe rrisni ndërveprimin e drejtpërdrejtë. Fëmija mëson duke dëgjuar dhe duke komunikuar me njerëzit, jo duke parë video në 📲.
✅ Lexoni libra të thjeshtë dhe flisni vazhdimisht me fëmijën. Edhe nëse ai nuk përgjigjet, vazhdoni t’i tregoni gjëra, t’i bëni pyetje dhe t’i jepni kohë për të reaguar.
✅ Mos prisni që fëmija t’ju kërkojë gjithçka me gjeste. Stimuloni të folurën duke i dhënë mundësi të përdorë fjalë për të kërkuar atë që dëshiron.
✅ Luani lojëra që nxisin komunikimin. Përdorni lodra që kërkojnë ndërveprim dhe përdorni fjalë të thjeshta për të përshkruar çdo veprim.
Si prindër, ju jeni terapeutët më të rëndësishëm të fëmijëve tuaj!
45 minuta terapi 2-3x në javë nuk mund të zëvendësojë qindra orë ndërveprimi që duhet të ndodhin në shtëpi.