01/11/2026
A është dieta vegane domosdoshmërisht më e shëndetshme?
🌱 WORLD VEGAN DAY | 1 NËNTOR
Përgjigjja shkencore është: Jo domosdoshmërisht. Por mund të jetë një model ushqimor shumë i shëndetshëm, nëse planifikohet siç duhet.
Një dietë vegane përjashton të gjitha produktet me origjinë shtazore, duke përfshirë mishin, peshkun, vezët, qumështin dhe produktet e tij.
Kur ndërtohet mbi një shumëllojshmëri ushqimesh bimore, si bishtajoret, drithërat integrale, perimet, frutat, arrat dhe farat, ajo mund të sigurojë fibra, vitamina, minerale dhe yndyra të pangopura, ndërkohë që mund të kontribuojë në përmirësimin e disa treguesve të shëndetit kardiometabolik.
Por... ekziston edhe ana tjetër e medaljes.
Një dietë vegane e paplanifikuar mund të rrisë rrezikun për marrje të pamjaftueshme të disa lëndëve ushqyese, veçanërisht:
🔹 Vitamina B12: Suplementimi ose përdorimi i ushqimeve të fortifikuara me B12 është i domosdoshëm për të siguruar marrjen e saj të besueshme.
🔹 Hekuri: Hekuri bimor (jo-hem) absorbohet më pak në krahasim me hekurin hem. Kombinimi me burime të vitaminës C mund të përmirësojë absorbimin.
🔹 Kalciumi dhe vitamina D: Duhet kushtuar vëmendje burimeve të fortifikuara dhe marrjes së mjaftueshme.
🔹 Jodi: Një nutrient shpesh i neglizhuar, por thelbësor për funksionimin normal të tiroides.
🔹 Zinku dhe omega-3: Kërkojnë zgjedhje të menduara të ushqimeve dhe, në raste të caktuara, suplementim.
🔹 Proteina: Nuk është e vështirë të sigurohet, por kërkon planifikim të burimeve si soja, thjerrëzat, fasulet, qiqrat, bizelet dhe produktet e tjera bimore të pasura me proteina.
Çfarë duhet të mbajmë mend?
Nuk është etiketa e dietës ajo që përcakton cilësinë e saj ushqyese, por përbërja, shumëllojshmëria dhe përshtatshmëria me nevojat individuale.
Një dietë vegane mund të jetë e shëndetshme. Një dietë omnivore mund të jetë e shëndetshme. Të dyja mund të jenë edhe të keqorganizuara.
Në Partners in Diet besojmë në ushqyerjen e bazuar në evidencë shkencore, jo në etiketa apo ekstreme.
🌱Happy World Vegan Day!
Profa,
Partners in Diet