06/05/2023
ROLI I SPERMOGRAMIT NË INFERTILITET
Përderisa në kohët e shkuara vetëm gruaja është akuzuar si përgjegjëse për infertilitet apo për joplleshmëri, poҫese një martesë nuk ka rezultuar me pasardhës, sot, me zhvillimin e shkencës mjekësore, është zbuluar se burri mund të jetë po aq fajtor në këtë drejtim sa edhe gruaja. Me gjasë kështu është besuar përpara meqë veҫ gruaja është bartëse e shtatzanisë, por dihet se në krijimin e një embrioni respektivisht të një fëmiu të ardhshëm barabar marrin pjesë sa qelizat gjinore të femrës po aq edhe ato të mashkullit.
Prandaj, për të arritur deri te diagnoza e saktë dhe e shpejtë e infertilitetit në ҫift, hapi i parë është analiza e spermës apo spermogrami. Ky ekzaminim i mashkullit është mjaft i lehtë dhe nënkupton dhënjen e spermës për analizë, pas 3-5 ditëve abstinence seksuale. Para së gjithash rekomandohet që ejakulati të jepet në një gotë sterile në hapësirën e veҫantë në spital apo në laborator, por nëse sperma sillet nga shtëpia atëherë gjatë transportit duhet të ruhet në temperaturë trupore, e më së miri është që të mbahet nën sqetull dhe të sillet brenda 30 – 60 minutave në klinikë apo në laborator. Kjo analizë, përveҫ të dhënave tjera, ofron vlerësim specifik për parametrat kryesorë të spermës siҫ janë sasia, lëvizshmëria dhe morfologjia e spermatozoideve. Ҫdo ҫrregullim i këtyre parametrave mund të ҫojë në uljen e fertilitetit mashkullor respektivisht në pamundësinë e ҫiftit për të krijuar pasardhës.
Kështu, poҫese koncentrimi i spermatozoideve (apo i qelizave gjinore në spermë që janë përgjegjëse për riprodhim) është nën 20 milion në mililitër apo nën 40 milion në totalin e spermës së analizuar, atëherë bëhet fjalë për diagnozën e “oligospermisë” apo përqëndrim të ultë të spermatozoideve të mashkullit. Nëse lëvizshmëria progresive bie nën 30% apo lëvizshmëria totale bie nën 40%, atëherë flasim për “astenozoospermi” apo për rënje të ndjeshme të lëvizjes së spermatozoideve. E poҫese hasen ndryshime në morfologjinë e spermatozoideve, atëherë kemi të bëjmë me “teratozoospemi”. Sidoqoftë, më së shpeshti që haset në praktikën klinike është patologjia e kombinuar apo “oligoastenoteratozoospermia (OAT)”, e cila është shkaktari më i zakonshëm i infertilitetit mashkullor. Kurse, rreth 10-15% e meshkujve që vuajnë nga infertiliteti kanë “azoospermi” apo mungesë absolute të spermatozoideve në ejakulat. Por, poҫese të gjithë parametrat e spermës janë në rregull si numri, lëvizshmëria dhe morfologjia e spermatozoideve, atëherë kemi të bëjmë me një diagnozë normale të mashkullit apo me “normozoospermi”.
Pa marrë parasysh se si do të delë rezultati i kësaj analize, ju duhet të konsultoheni me specialistin për infertilitet apo riprodhim të asistuar në lidhje me metodat e mundshme të trajtimit. Sepse, një analizë jonormale e spermës nuk do të thotë që ju jeni jopjellor. Respektivisht, shumë meshkuj me vlera të ulëta të analizës së spermës ende mund të bëjnë fëmijë, vetëm se ky qëllim mund të merr më shumë kohë. Pra, nëse ju dhe partneri juaj nuk jeni në gjendje të krijoni fëmijë përmes marrëdhënieve seksuale, teknologjitë e riprodhimit të asistuar janë aty për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këtë mundësi.
Preferohet që, edhe në rastin më të mirë kur kemi të bëjmë me analizë normale të spermës, spermogrami megjithatë duhet të përsëritet së paku tri herë në një interval kohor prej 3 javësh midis analizave, meqë në rezultatin e saj mund të ndikojnë shumë faktorë. Kurse, poҫese zbulohet ndonjëra nga diagnozat e cekura më lart, atëherë në bazë të shkallës së dëmtimit të spermës, specialisti për infertilitet e përcakton tretmanin e mëtejmë, e i cili zakonisht ka të bëjë me shërimin përmes metodave të riprodhimit të asistuar siҫ është inseminimi intrauterin (IUI) apo fertilizimi in vitro (IVF).
Gjithsesi diagnoza më e rëndë në kuptimin e fertilitetit të mashkullit është azoospermia. E në këtë rast pacienti përveҫ që duhet të konsultohet me urologun për ta gjetur shkaktarin e kësaj patologjie, atij shpesh i preferohohet që t’i bëhet biopsia e testiseve (TESE apo TESA), me ҫ’rast, poҫese i gjenden spermatozoidet me këtë lloj operacioni, atëherë ҫiftit i rekomandohet metoda e drejtpërdrejtë e fekondimit artificial apo ICSI, ku në laborator bëhet injektimi direkt i spermatozoideve në qelizat vezë. Gjithashtu në këtë rast pacientit i rekomandohet që ta ngrin dhe ruan spermën e tepërt të fituar me biopsi, ashtu që të mos ketë nevojë t’i nënshtrohet përsëri ndonjë operacioni të ri në të ardhmen.
Veҫanërisht është me rëndësi që diagnostifikimi i infertilitetit të mashkullit të bëhet sa më heret, meqë spermogrami mund të përkeqësohet edhe me moshën. Pra, shpesh ndodhë që meshkujt, edhe përkundër faktit që madje në rini kanë pasur fëmijë, më vonë në një moshë të caktuar ka mundësi që të mos iu gjenden spermatozoidet madje as me biopsi të testiseve gjegjësisht as me operacion. Andaj, vlerësimi profesional dhe me kohë i parametrave të spermogramit shpesh ka rëndësi jetike për meshkujt që të mos ngelin pa fëmijë.
Dr. Gjina Zeqiri MSc, PhD
Gjinekologe – Obstetre
Magjistër, doktor shkence dhe subspecialiste për infertilitet dhe frytnim të asistuar (IVF)
Swiss Fertility Clinic - Klinika Zvicerane për Fertilitet (Kosovë)
Mob: +383 48 646 636 (Viber/Whatsapp)