08/01/2026
ANKESË NDAJ ARTIKULLIT TË PUBLIKUAR PËR “MEDICAL CENTER”
Përshëndetje,
Në lidhje me artikullin e publikuar për spitalin Medical Center, dëshiroj të parashtroj këtë ankesë zyrtare për shkak të pasaktësive serioze faktike dhe mënyrës tendencioze të trajtimit të çështjes.
Së pari, është e pavërtetë që Dr. Lutfi Dervishi është dënuar me burg. Përkundrazi, ai është shpallur i pafajshëm me vendim gjyqësor përfundimtar. Nëse redaksia ka nevojë për verifikim, vendimi zyrtar mund të vihet në dispozicion pa asnjë problem.
Së dyti, në artikull pretendohet për “shkelje të rënda ligjore”, gjë që nuk qëndron. Edhe nga vetë vendimi i Ministrisë dhe raporti i inspektoratit rezulton qartë se bëhet fjalë vetëm për shkelje procedurale, të cilat sipas inspektores janë konstatuar, por njëkohësisht është theksuar se të gjitha procedurat dhe shërbimet kanë qenë në rregull. Këto veprime nuk përbëjnë shkelje penale dhe kanë pasur karakter procedural, madje në rrethana që lënë vend për dyshime mbi qasjen personale ndaj institucionit.
Gjithashtu, është e pakuptimtë dhe jo profesionale që një vendim i vitit 2024 të paraqitet tani si “lajm aktual”, pa asnjë kontekst kohor dhe pa sqaruar se bëhet fjalë për një çështje të mbyllur ligjërisht. Një praktikë e tillë i keqinformon lexuesit dhe krijon përshtypjen e rreme të një zhvillimi të ri, kur në fakt nuk ka asnjë të tillë.
Përdorimi i titujve grandiozë dhe përmbajtjeve të pasakta krijon një perceptim të rremë te publiku dhe dëmton rëndë reputacionin profesional dhe institucional, duke lënë përshtypjen e një shkrimi të qëllimshëm për klikime, e jo të bazuar në fakte reale.
Ju lutem që, nëse vendosni të trajtoni tema të tilla delikate, të paktën të siguroheni që informacioni i publikuar të jetë i saktë, i verifikuar dhe i balancuar, në përputhje me etikën profesionale të gazetarisë.
Në pritje të korrigjimit të artikullit dhe sqarimit publik të këtyre pasaktësive.
Me respekt,
Medical Center