16/08/2025
Çfarë është NIV Terapia ( ventilimi jo invaziv)?
NIV (Non-Invasive Ventilation apo ventilimi jo invaziv) është një formë e ventilimit mekanik që ndihmon pacientin të marrë frymë më mirë pa pasur nevojë për intubim. Kjo terapi bëhet me anë të një maske speciale që vendoset në hundë apo hundë dhe gojë e cila lidhet me një aparat ventilator. Aparati jep presion pozitiv ajri, i cili ndihmon mushkëritë të hapen më mirë dhe lehtëson frymëmarrjen.
Kur përdoret NIV Terapia?
NIV përdoret në situata kur mushkëritë nuk arrijnë të marrin mjaftueshëm oksigjen ose nuk arrijnë të eliminojnë mjaftueshëm dioksidin e karbonit (CO₂). Rastet më të shpeshta janë:
SPOK / COPD (sëmundja pulmonare obstruktive kronike) me përkeqësim akut.
Hiperkapnia akute (rritje e nivelit të CO₂ në gjak).
Insuficienca respiratore akute (kur mushkëritë nuk punojnë mjaftueshëm, por pacienti ende ka forcë të marrë frymë vetë).
Në disa raste tek pacientët obezë me sindromën e hipoventilimit.
Çfarë është Hiperkapnia?
Hiperkapnia është gjendja kur në gjak grumbullohet shumë dioksid karboni (CO₂), sepse mushkëritë nuk arrijnë ta nxjerrin jashtë.
Simptomat e hiperkapnisë mund të jenë:
Vështirësi në frymëmarrje
Përgjumje, konfuzion, deri tek humbja e vetëdijes në raste të rënda.
Si ndihmon NIV Terapia?
Aparati NIV jep presion pozitiv të ajrit poashtu ndihmon mushkëritë të hapen më shumë.
Rrit ventilimin alveolar dhe nxjerr më shumë CO₂ jashtë trupit.
Ul punën e muskujve të frymëmarrjes dhe pacienti lodhet më pak gjatë frymëmarrjes.
Përmirëson oksigjenimin dhe zvogëlon nevojën për intubim.
Pra, NIV është një terapi shumë e rëndësishme dhe efektive për pacientët që vuajnë nga insuficienca respiratore sidomos kur shoqërohet me hiperkapni, sepse ndihmon të stabilizohet frymëmarrja si dhe rrit kualitetin dhe jetëgjatësinë për këtë kategori të pacientëve.
Dr.Flamur Llabjani