08/05/2026
Asociacioni i Pulmologëve të Kosovës – ASPUKO ka kënaqësinë të ju njoftojë për organizimin e Konferencës për Apnean e Gjumit, e cila do të mbahet më 16 dhe 17 maj në Hotel Emerald, me pjesëmarrjen e kolegëve nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera evropiane.
Tema qendrore e konferencës do të jetë Sindroma e Apnesë Obstruktive të Gjumit, ndërsa ligjëratat do të mbulojnë specialiste nga fusha të ndryshme si Pulmologjia, Kardiologjia, ORL, Endokrinologjia dhe Stomatologjia, duke reflektuar qasjen multidisiplinare të kësaj problematike të rëndësishme mjekësore.
Sesionet shkencore do të mbahen gjatë ditës së shtunë, nga ora 10:00 deri në ora 16:30, ndërsa në ditën e dytë, më 17 maj, do të organizohet një Workshop praktik i dedikuar Poligrafisë së Gjumit dhe trajtimit me CPAP, ku do të marrin pjesë një numër i kufizuar i profesionistëve të interesuar.
Konferenca është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe pjesëmarrja do të jetë pa pagesë për të gjithë anëtarët e ASPUKO dhe 20 euro për të tjerët. Pagesa për pjesëmarrje mund të bëhet përmes bankës në xhirollogarinë e Asociacionit të Pulmologëve të Kosoves në BPB: 1300001200058189.
Ju mirëpresim në këtë konferencë, e cila është e para e këtij lloji në Kosovë dhe në rajon. Organizimi i saj paraqet një hap të rëndësishëm për avancimin e Pulmologjisë Kosovare, duke pasur parasysh se Sindroma e Apnesë Obstruktive të Gjumit është një problematikë me rëndësi të madhe klinike dhe epidemiologjike, e cila kërkon vëmendje dhe trajtim të specializuar nga pulmologët dhe profesionistët e fushave të ndërlidhura.
Për më shumë informata: [email protected]