25/08/2026
Ka periudha kur njeriu vazhdon jetën normalisht, por brenda vetes e ndien se diçka ka ndryshuar...
Shkon në punë, kujdeset për familjen, takohet me njerëz, kryen obligimet dhe nga jashtë mund të duket se gjithçka është në rregull. Megjithatë, mendja vazhdon të jetë e ngarkuar. Ka më pak durim, më shumë shqetësim, lodhje që nuk kalon lehtë, vështirësi për t’u çlodhur dhe një ndjenjë të vazhdueshme se duhet të përballojë edhe pak.
Shpesh njerëzit presin që gjendja të bëhet shumë e rëndë para se t’i kushtojnë vëmendje shëndetit të tyre mendor. Mendojnë se duhet të ketë një krizë, një diagnozë apo një problem të madh për të kërkuar mbështetje psikologjike.
Por kujdesi për shëndetin mendor nuk fillon vetëm kur nuk mundemi më.
Mund të fillojë shumë më herët. Kur vërejmë se po shqetësohemi më shumë se zakonisht. Kur gjumi nuk na çlodh. Kur mendimet vazhdojnë edhe atëherë kur dita ka përfunduar. Kur reagojmë më fort ndaj gjërave të vogla. Kur kemi filluar të shmangim situata që më parë i përballonim pa vështirësi. Apo thjesht kur e kuptojmë se prej një kohe nuk po ndihemi si vetvetja.
Të kërkosh ndihmë psikologjike në këtë fazë nuk është ekzagjerim i problemit. Është një mënyrë për ta kuptuar atë para se të bëhet më i madh.
Psikoterapia nuk është vetëm një vend ku trajtohen simptomat. Është edhe një proces ku njeriu mëson të kuptojë më mirë veten, mënyrën si mendon, si reagon ndaj stresit, çfarë shmang dhe çfarë e mban të bllokuar në të njëjtat modele.
Nuk duhet të presim të arrijmë në kufijtë tanë për t’u kujdesur për veten.
Dr. Imri Zabeli
Psikolog Klinik Specialist & Psikoterapeut