Drilon Gashi Psikoedukim dhe Vetënjohje

Drilon Gashi Psikoedukim dhe Vetënjohje Udhërrëfyes për qetësi dhe vetë-njohje. Student i psikoterapisë, në dialog me filozofinë shpirtërore dhe teologjinë.

Hapësirë psikoedukuese për vetë-kuptim dhe ekuilibër mes mendjes dhe trupit. 🌿 Unë jam Drilon Gashi, konsulent i certifikuar në Psikoterapi dhe këshillues shpirtëror, me një sfond të thellë në teologji, filozofi dhe psikologji transpersonale. Prej më shumë se një dekade, i kam ndihmuar njerëzit të gjejnë kuptim, qetësi dhe lidhje të re me vetveten – jo vetëm përmes mendjes, por edhe përmes trupit

dhe zemrës. Punoj me individë që përballen me:

Ankth, stres, bllokime emocionale

Ngarkesa shpirtërore, çrregullime psikosomatike

Ndjenja faji, mungesë e kuptimit, humbje

Trauma familjare dhe vuajtje transgjeneracionale

Qasja ime ndërthur Psikoterapinë Pozitive, Psikoterapinë Trupore, dhe praktikat shpirtërore të thella, për të ofruar një proces transformues që respekton besimin dhe autenticitetin e çdo njeriu. Besoj se çdo shpirt ka një rrugë të vetën për të shëruar veten. Unë jam këtu për të ecur me ty në këtë rrugë.

29/08/2026

🧠 NGA ANKTHI TE VETËRREGULLIMI
Webinar online – rrugëtim 4-javor

A të ndodh ndonjëherë që trupi të j*pë alarm edhe kur mendja të thotë: “nuk ka asgjë për t’u frikësuar”?

Rrahje zemre, tension, mendime që s’ndalen, shqetësim, nevojë për kontroll…

Nga 5 Shtatori fillojmë një cikël të ri psikoedukativ ku do ta kuptojmë ankthin jo si armik që duhet mposhtur, por si një sinjal që duhet kuptuar.

Gjatë 4 takimeve do të punojmë me:

🔹 kuptimin e ankthit dhe reagimeve të trupit
🔹 lidhjen mendim–emocion–trup
🔹 kuptimin dhe mbështetjen e vetërregullimit
🔹 ushtrime të thjeshta grounding-u dhe orientimi
🔹 reflektim dhe vetënjohje
🔹 ushtrime të udhëzuara të relaksimit dhe vëmendjes

📅 5, 12, 19 dhe 26 Shtator 2026
🕘 Çdo të shtunë – 21:00
💻 Online – Zoom

💶 40€ pjesëmarrësit e mëparshëm
50€ pjesëmarrësit e rinj
60€ dy persona së bashku

📩 Regjistrimi në linkun në koment.

Udhëheqësi i webinarit:
Drilon Gashi – student në edukim për psikoterapi

Ky aktivitet zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe ka karakter psikoedukativ dhe reflektues. Ai nuk përbën psikoterapi individuale, diagnozë klinike apo trajtim mjekësor dhe nuk i zëvendëson këto shërbime kur ato janë të nevojshme.

Ndonjëherë nuk kemi nevojë ta luftojmë ankthin.
Kemi nevojë të kuptojmë çfarë po përpiqet të na tregojë trupi.

Një plak jetonte me djalin e vet dhe kishte një kalë, pasuria e vetme që e ndihmonte në punët e përditshme.Një ditë, kal...
27/08/2026

Një plak jetonte me djalin e vet dhe kishte një kalë, pasuria e vetme që e ndihmonte në punët e përditshme.

Një ditë, kali iku.

Fshatarët i erdhën me keqardhje:

— Ah, çfarë fatkeqësie! Të iku kali!

Plaku vetëm buzëqeshi dhe tha:

— Ku e dimë? Zoti hajr e baftë.

Pas disa ditësh, kali u kthye prej malit dhe solli me vete disa kuaj të egër.

Fshatarët erdhën përsëri:

— Çfarë fati paske! Tash u bëre me shumë kuaj!

Plaku tha:

— Ku e dimë? Hajr ishallah.

Pas pak kohe, djali i tij u përpoq ta zbusë njërin prej kuajve të egër. Kali e rrëzoi dhe djali e theu këmbën.

Përsëri erdhën njerëzit:

— Ah, çfarë fatkeqësie! Djali yt mbeti me këmbë të thyer!

Plaku tha:

— Ku e dimë? Hajr e baftë Zoti.

Nuk kaloi shumë dhe në vend shpërtheu lufta.

Ushtarët erdhën në fshat dhe morën me forcë të gjithë djemtë e rinj për në front.

Vetëm djalin e plakut nuk e morën, sepse e kishte këmbën e thyer.

Shumë prej atyre djemve nuk u kthyen më.

Atëherë fshatarët i thanë plakut:

— Çfarë fati që djali yt e theu këmbën!

Plaku i shikoi dhe tha përsëri:

— Ku e dimë… E baftë Zoti hajr.

----------------

Jeta nuk na e tregon kuptimin e ngjarjeve në momentin kur ato ndodhin.

Ajo që sot të duket humbje, nesër mund të dalë shpëtim.

Ajo që sot të duket fitore, mund të jetë fillimi i një sprove.

Ne shohim vetëm një faqe.
Zoti e di gjithë librin.

Prandaj mos u deh shumë nga ajo që fiton dhe mos u thyej menjëherë nga ajo që humb.

Thuaj:

“Hajr e baftë Zoti.”

Sepse nganjëherë jeta duhet të kalojë edhe disa faqe para se ta kuptosh pse ndodhi ajo që ndodhi.

Jo çdo lot është pafajësi, sikurse jo çdo zemërim është forcë.Alfred Adler na shtyn ta shohim emocionin jo vetëm si diçk...
22/08/2026

Jo çdo lot është pafajësi, sikurse jo çdo zemërim është forcë.

Alfred Adler na shtyn ta shohim emocionin jo vetëm si diçka që “na ndodh”, por edhe të pyesim: çfarë funksioni po kryen ky emocion në marrëdhënien time me tjetrin?

Ndonjëherë njeriu nuk kontrollon përmes britmës, kërcënimit apo agresionit. Kontrollon përmes dobësisë: qan, tërhiqet, hesht me ditë, refuzon ushqimin, rrëzohet emocionalisht dhe e vendos tjetrin para një mesazhi të pashprehur:

“Nëse nuk bën siç dua unë, shiko çfarë po më shkakton.”

Dhe kështu, paradoksalisht, ai që duket më i pafuqishëm mund të fitojë shumë pushtet mbi tjetrin. Tjetri dorëzohet jo sepse është bindur, por sepse nuk e duron më fajin, lotët apo dramën.

Kjo nuk do të thotë se çdo njeri që qan është manipulues. Lotët mund të jenë dhimbje krejtësisht autentike.
Psikologjikisht pyetja më e dobishme është tjetër:

A po e shpreh dhimbjen time, apo po e përdor dhimbjen për ta detyruar tjetrin të sillet sipas dëshirës sime?

Ka dallim të madh mes:

“Jam lënduar dhe dua të më kuptosh”

dhe

“Jam lënduar, prandaj ti duhet të dorëzohesh.”

Pjekuria emocionale nuk është të mos qash. Është të jesh në gjendje të qash pa e bërë lotin armë; të shprehësh dhimbjen pa ia ngarkuar tjetrit përgjegjësinë për ta rregulluar gjithë botën tënde.

Ndonjëherë viktima nuk është vetëm viktimë.

Ndonjëherë roli i viktimës bëhet mënyrë për të sunduar pa u dukur sikur po sundon.

Dhe pikërisht këtu fillon vetënjohja.

22/08/2026

NJË GJENERATË MES DY BOTËVE

Ka diçka të çuditshme me ne që kemi lindur afërsisht kah 1985–1992.

Sikur jemi rritur gjithmonë në tranzicion.

As tamam fëmijë të botës së vjetër.
As tamam njerëz të botës së re.

Na thonë shpesh: “Ju i keni pasë krejt.”

Ne kemi pasur shumë gjëra. Vetëm se, disa prej gjërave më të rëndësishme na kanë munguar.

Kemi pasur prindër që na kanë dashur, por shumë prej tyre nuk kanë ditur ta thonë dashurinë.

Dashuria ishte:

“Ta kam siguru bukën.”
“Po punoj për ty.”
“Ta kam ble këtë.”
“Mos të mungojë asgjë.”

Por shumë më rrallë dëgjonim:

“Si po ndihesh?”
“A je mirë?”
“Çka të dhemb?”
“Jam krenar për ty.”
“Edhe kur dështon, ti ke vlerë.”

Prandaj u rritëm të fortë.
Ose të paktën kështu dukeshim.

Mësuam të punojmë.
Të durojmë.
Të heshtim.
Të mos ankohemi.
Të bartim familjen mbi shpinë.

Por askush nuk na mësoi çfarë të bëjmë me ankthin, vetminë, xhelozinë, frikën e braktisjes, turpin, boshllëkun.

Dhe ne ishim vetëm fëmijë kur bota përreth nesh po çmendej.

Vitet ’90.
Frika.
Varfëria.
Lufta.
Ikjet.
Humbjet.
Prindër të stresuar.
Familje që vetëm mundoheshin të mbijetonin.

Pastaj lufta mbaroi dhe na thanë:

Tash jetoni.

Veçse askush nuk na tregoi si.

Sepse pas luftës erdhi një luftë tjetër, më e heshtur:

papunësia,
nepotizmi,
emigrimi,
zhgënjimi,
presioni për sukses,
presioni për martesë,
presioni për shtëpi,
presioni për fëmijë,
presioni për t’u dukur mirë edhe kur brenda nuk ishim mirë.

Dhe ndërkohë bota ndryshonte para syve tanë.

U rritëm me mendësinë e prindërve tanë, por u bëmë të rritur me internetin, Facebook-un, Instagramin, pornografinë, emigracionin, individualizmin dhe një mijë mundësi që prindërit tanë nuk i kishin pasur kurrë.

Na mësuan:

Martohu.
Puno.
Ndërto shtëpi.
Bëj fëmijë.
Mbaje familjen.

Dhe shumë prej nesh i bënë krejt.

Pastaj një natë, diku kah të 35-at apo 40-at, e gjejmë veten vetëm me një pyetje të tmerrshme:

“Mirë… po pse prapë po më mungon diçka?”

Sepse mund ta kesh shtëpinë dhe të mos e ndjesh shtëpinë.

Mund ta kesh familjen dhe të ndihesh vetëm.

Mund ta kesh partnerin pranë dhe të mos ndihesh i parë.

Mund të kesh seks dhe të të mungojë intimiteti.

Mund të kesh njerëz rreth vetes dhe të mos kesh askënd me të cilin mund të thuash:

“Sot nuk jam mirë.”

Disa prej nesh boshllëkun e mbushën me punë.

Disa me para.

Disa me fe.

Disa me seks.

Disa me flirt.

Disa me alkool.

Disa me udhëtime.

Disa me humor.

Disa me heshtje.

Disa me një “s’më duhet askush”.

Por nganjëherë pas atij “s’më duhet askush” fshihet një fëmijë që dikur kishte aq shumë nevojë për dikë, sa mësoi të mos kërkojë më.

Ndoshta prandaj ne jemi pak të lodhur.

Jo vetëm fizikisht.

Të lodhur në shpirt.

Sepse jemi gjenerata që pa një botë duke vdekur dhe një tjetër duke lindur.

Na u shembën disa autoritete.

Na ndryshoi familja.

Na ndryshoi martesa.

Na ndryshoi seksualiteti.

Na ndryshoi puna.

Na ndryshoi feja.

Na ndryshoi shoqëria.

Na ndryshoi ideja se çfarë do të thotë të jesh burrë, grua, prind, partner, njeri.

Dhe në mes të gjithë kësaj dikush na tha:

“Gjeje veten.”

Po ku?

Në cilën botë?

Ndoshta prandaj shumë prej nesh ndihen as andej, as këndej.

Shumë të rinj për botën e vjetër.

Shumë të vjetër për botën e re.

Ne dimë të sakrifikojmë, por jo gjithmonë të vendosim kufij.

Dimë të durojmë, por jo gjithmonë të komunikojmë.

Dimë të kujdesemi për të tjerët, por shpesh nuk dimë çfarë të bëjmë me veten.

Dimë të themi “jam mirë” edhe kur nuk jemi mirë fare.

Dhe megjithatë…

Unë nuk besoj se jemi gjeneratë e dështuar.

Mendoj se jemi gjeneratë urë.

Na ra barra të qëndrojmë mes dy brigjeve.

Të marrim nga prindërit tanë sakrificën, besnikërinë, familjen dhe qëndrueshmërinë — por të mos ua trashëgojmë fëmijëve heshtjen emocionale.

Të marrim nga bota e re psikologjinë, kufijtë, lirinë dhe autenticitetin — pa humbur shpirtin, përgjegjësinë dhe lidhjen me njëri-tjetrin.

Ndoshta detyra jonë nuk ishte të kishim një jetë të lehtë.

Ndoshta detyra jonë ishte të ndërprisnim disa plagë që kanë udhëtuar brez pas brezi.

Dhe nëse je i lindur më 1987, 1988 apo aty afër, dhe ndonjëherë e ke ndier veten të vonuar, të zbrazët, të humbur ose sikur nuk përket plotësisht askund…

ndoshta nuk je vonë.

Ndoshta vetëm ke kaluar gjysmën e jetës duke mbijetuar dhe tash po mëson, për herë të parë, si të jetosh, pa qenë sistemi yt nervor nën alarm.

E nëse ky tekst të ngjau si historia jote, atëherë ndoshta halli ynë është më i përbashkët sesa kemi menduar.

19/08/2026

Mendja nuk lodhet vetëm nga problemet. Shpesh lodhet nga mënyra si përpiqemi t’i zgjidhim ato.

Ka ditë kur mendimet gumëzhijnë pa pushim:
“Po sikur...?”
“Pse ndodhi kështu?”
“Çfarë do të bëj?”
“Po nëse gaboj?”
“Po sikur të përsëritet?...”

Dhe njeriu mendon se duke analizuar më shumë, do të gjejë më shumë qetësi.

Por shpesh ndodh e kundërta: mendimi nuk po zgjidh më problemin – mendimi është bërë vetë problemi.

Në traditat lindore dhe në psikoterapi gjejmë një ide shumë të rëndësishme: jo çdo mendim duhet ndjekur, analizuar ose luftuar.

Kur mendja bëhet e zhurmshme, mund të përdorim këto 5 rrugë:

1. Zëvendësoje fokusin.
Kur një mendim tërhiqet vazhdimisht drejt ankthit, zhvendose vëmendjen te diçka më e dobishme: frymëmarrja, trupi, puna konkrete, një lutje, një aktivitet që kërkon prani.

Jo çdo derë që hap mendja duhet futur brenda.

2. Shiko ku të çon mendimi.
Pyete veten:
“Nëse vazhdoj ta ushqej këtë mendim edhe një orë, çfarë do të fitoj?”

Nëse përgjigjja është vetëm më shumë ankth, zemërim, faj ose frikë, atëherë nuk je duke reflektuar, por po e përtyp të njëjtin mendim vazhdimisht, pa arritur te zgjidhja.

3. Mos i jep vëmendje çdo mendimi.
Një mendim mund të ekzistojë pa marrë përgjigje.

Mund të thuash thjesht:
“Po, mendja ime po e mendon këtë...këtë punë ka....”

Dhe të vazhdosh me ditën.

Kjo nuk është ikje nga realiteti. Është aftësia për të mos u bërë rob i çdo sinjali që prodhon truri.

4. Kërko rrënjën e mendimit.
Ndonjëherë pyetja e vërtetë nuk është:
“Pse po mendoj kaq shumë?”

Por:

“Çfarë po përpiqem të kontrolloj?”
“Çfarë kam frikë të humbas?”
“Çfarë sigurie po kërkoj?”
“Çfarë ndjenje po mundohem të mos e ndiej?”

Shpesh pas overthinking-ut nuk qëndron nevoja për më shumë informacion, por frika nga pasiguria.

5. Kur duhet, ndërprite ciklin.
Ka momente kur reflektimi ka dhënë gjithçka që kishte për të dhënë.

Atëherë duhet të thuash:

“Mjaft për sot.”

Ngrihu.
Ec.
Merr frymë.
Bëj diçka me trupin.
Kthehu tek ajo që është realisht para teje.

Sepse mendja mund të prodhojë një mijë skenarë, ndërsa jeta ndodh vetëm në një vend:

KËTU dhe TANI.

Qetësia mendore nuk do të thotë të mos kesh mendime.

Do të thotë të arrish në atë pikë ku mendimi mund të trokasë në derë, por ti vendos nëse do t’ia hapësh apo jo.

Ky është një nga dallimet më të rëndësishme mes mendimit të shëndetshëm dhe overthinking-ut:

Mendimi të shërben.
Overthinking-u të përdor.

Dhe ndoshta pjekuria psikologjike fillon pikërisht kur kuptojmë se:

Jo çdo mendim është fakt.
Jo çdo frikë është paralajmërim.
Jo çdo pyetje kërkon përgjigje.

15/08/2026

Njerëzit luajnë role.
Në punë.
Në familje.
Në fe.
Në politikë.
Në rrjete sociale.
Dhe kjo nuk është domosdoshmërisht hipokrizi. Shoqëria kërkon role.
Por problemi është kur marrim personën për personin.
jo vetëm çfarë thotë dikush, por:
si reagon kur kritikohet,
si sillet kur s’ka interes,
si trajton njerëzit më të dobët,
çfarë bën nën stres,
çfarë modeli përsërit.
Karakteri shihet më shumë në mikrosjellje të përsëritura sesa në deklarata madhështore.
Prandaj Jungu ka thënë se:
"Persona (maska) nuk është Self-i i vërtetë."

15/08/2026

Ndoshta problemi yt nuk është se ke shumë probleme.

Ndoshta problemi është se u jep rëndësi shumë gjërave që nuk e meritojnë rëndësinë tënde.

Mark Manson, te libri The Subtle Art of Not Giving a Fck*, sjell një ide brutalisht të thjeshtë:

Nuk mund të kujdesesh për gjithçka. Prandaj zgjidh me kujdes për çfarë do të vuash.

Ne lodhemi duke menduar:

Çfarë tha ai për mua?
Pse nuk më respektoi?
Pse nuk më shkroi?
Çfarë do të mendojnë njerëzit?
A dola fitues në debat?
A më vlerësuan sa duhet?

Dhe ndërkohë na ikin gjërat që kanë peshë reale:

familja, shëndeti, karakteri, puna, kuptimi, besimi, marrëdhëniet dhe paqja me veten.

Pjekuria psikologjike nuk është të bëhesh indiferent.

Është të krijosh hierarki të rëndësisë.

Të dish të thuash:

“Kjo më intereson.”

“Kjo meriton energjinë time.”

“Kjo më dhemb, por ia vlen.”

Dhe për disa gjëra:

“Jo. Kjo nuk meriton as pesë minuta nga jeta ime.”

Sepse jeta nuk bëhet më e mirë kur zhduken të gjitha problemet.

Ajo bëhet më e mirë kur fillojmë të zgjedhim probleme që ia vlejnë.

Në vend se të pyesësh:

“Si mund të mos vuaj?”

pyet:

“Për çfarë ia vlen të vuaj?”

Ky është dallimi mes një jete të harxhuar duke reaguar ndaj gjithçkaje dhe një jete të ndërtuar mbi vlera.

Dhe ndoshta liria fillon pikërisht atë ditë kur kupton:

Jo çdo mendim meriton përgjigje.
Jo çdo kritikë meriton mbrojtje.
Jo çdo konflikt meriton luftë.
Jo çdo njeri meriton qasje në sistemin tënd nervor.

☀️ VERË, RRUGËT DHE DARSMAT PLOT… DHE NJË TRUK I VOGËL I TRURIT TONËNdoshta ju ka ndodhur:Ecën një grup vajzash të rregu...
09/08/2026

☀️ VERË, RRUGËT DHE DARSMAT PLOT… DHE NJË TRUK I VOGËL I TRURIT TONË

Ndoshta ju ka ndodhur:

Ecën një grup vajzash të rregulluara, të veshura për verë, duke qeshur e lëvizur bashkë… dhe shumë djem automatikisht kthejnë kokën.

“Wow… çfarë grupi!”

Por psikologjia ka një fenomen interesant që quhet Cheerleader Effect.

Kur i shohim njerëzit në grup, truri nuk i përpunon vetëm një nga një. Ai krijon edhe një përshtypje të përgjithshme të grupit — një lloj “mesatareje vizuale”.

Dhe pikërisht këtu ndodh mashtrimi i vogël perceptues:

Në grup, disa njerëz mund të na duken më tërheqës sesa do të na dukeshin po t’i shihnim veçmas.

Pastaj shtoji kësaj:

verën,
veshjen,
ngjyrat,
lëvizjen,
qeshjen,
vetëbesimin,
energjinë e grupit,
dhe faktin që vëmendja jonë biologjikisht tërhiqet shumë shpejt nga stimujt vizualë…

dhe truri thotë:

“UAU!”

Ndërsa realiteti mund të jetë shumë më normal se reagimi ynë i parë. 😄

Dhe këtu fillon VETËNJOHJA.

Nuk është problemi se dikush është i bukur.
As se dikush vishet bukur.
As se ne ndiejmë tërheqje.

Problemi fillon kur e marrim çdo reagim të menjëhershëm të trurit si të ishte e vërteta objektive.

Truri nuk është aparat fotografik.

Ai zgjedh.
Krahason.
Zmadhon.
Idealizon.
Plotëson boshllëqet.

Prandaj ndonjëherë nuk po shohim vetëm personin përballë nesh…

po shohim edhe atë që truri ynë ka ndërtuar rreth tij.

Psikoterapia dhe vetënjohja fillojnë pikërisht këtu:

Të dallosh mes asaj që është përpara syve të tu dhe asaj që mendja jote po projekton mbi të.

Edhe bukuria, nganjëherë, është më shumë psikologji sesa matematikë.

Prandaj njerëz, mos u mashtroni kaq lehtë nga truri juaj…😉!

NË PSIKOTERAPI NUK DO T’JU TREGOJ SI TA JETONI JETËN TUAJShumë prej nesh jemi rritur në një kulturë ku, sapo tregojmë nj...
31/07/2026

NË PSIKOTERAPI NUK DO T’JU TREGOJ SI TA JETONI JETËN TUAJ

Shumë prej nesh jemi rritur në një kulturë ku, sapo tregojmë një problem, dikush na thotë menjëherë:

“Bëje këtë.”
“Mos e bëj atë.”
“Ndahu.”
“Duro.”
“Fale.”
“Harroje.”
“Mos mendo shumë.”

Por psikoterapia nuk është predikim dhe psikoterapisti nuk është një autoritet që vendos në vendin tuaj.

Prandaj, në punën time psikoterapeutike, nuk do t’ju j*p këshilla të gatshme për çdo vendim të jetës suaj.

Nuk do t’ju them menjëherë nëse duhet të ndaheni, të martoheni, të falni, të largoheni apo të qëndroni.

Do t’ju dëgjoj.

Do t’ju ndihmoj të kuptoni çfarë po ndodh brenda jush.

Do të shqyrtojmë së bashku frikën, ankthin, zemërimin, nevojat, konfliktet dhe modelet që përsëriten në jetën tuaj.

Do t’ju ndihmoj të dëgjoni edhe trupin tuaj, jo vetëm zhurmën e mendimeve.

Sepse këshilla mund ta zgjidhë përkohësisht një situatë, por jo domosdoshmërisht plagën që e ka krijuar atë.

Një psikoterapist i mirë nuk duhet ta bëjë klientin të varur prej tij.

Qëllimi nuk është që pas çdo problemi të pyesni:

“Çfarë do të më thotë terapisti?”

Qëllimi është që gradualisht të arrini të pyesni:

“Çfarë ndiej unë?”
“Çfarë dua unë?”
“Çfarë është e shëndetshme për mua?”
“Çfarë vendimi mund ta marr me vetëdije dhe përgjegjësi?”

Natyrisht, psikoterapia përfshin psikoedukim, metoda, ushtrime, teknika të vetërregullimit dhe orientim profesional.

Por ka një dallim të madh ndërmjet orientimit dhe komandimit.

Unë mund t’ju ndihmoj ta shihni më qartë rrugën.

Por nuk mund dhe nuk duhet të ec në vendin tuaj.

Psikoterapia nuk synon t’ju j*pë një autoritet të ri mbi kokë.

Ajo synon t’ju ndihmojë ta ndërtoni autoritetin e shëndetshëm brenda vetes.

Nuk do t’ju j*p përgjigje të gatshme për jetën tuaj.

Do t’ju dëgjoj, do t’ju mbështes dhe do t’ju shoqëroj derisa të mund ta dëgjoni më qartë përgjigjen që po formohet brenda jush.

Sepse terapia e vërtetë nuk ju thotë kush duhet të bëheni. Ajo ju ndihmon të zbuloni kush jeni, çfarë ju ka plagosur dhe si mund të jetoni më të lirë, më të vetëdijshëm dhe më të përgjegjshëm.

28/07/2026

"Ne i lutemi Allahut, nuk kemi nevojë për psikoterapi.”

Kjo fjali tingëllon fetare, por shpesh fsheh një keqkuptim të madh.

Kur na dhemb dhëmbi, bëjmë dua dhe shkojmë te dentisti.
Kur thyhet këmba, i lutemi Allahut dhe kërkojmë mjekim.
Atëherë pse, kur lëndohet psikika, terapia shihet si mungesë besimi?

Psikoterapia nuk e zëvendëson Allahun.
Ajo i ndihmon njeriut ta kuptojë traumën, frikën, ankthin dhe plagët që i ka shtypur me vite.

Duaja të lidh me Zotin.
Terapia të ndihmon të mos ikësh nga vetja.

Allahu është Shëruesi, por mjeku, ilaçi dhe terapisti janë shkaqe. Refuzimi i shkakut nuk është gjithmonë devotshmëri; nganjëherë është frikë që dikush mundohet me e sh*të si fe.

Besimi i shëndoshë nuk e mohon psikikën.
E kupton, e edukon dhe e shëron.

Address

Seanca Me Rezervim – Në Prishtinë Por Edhe Online
Pristina
10000

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Drilon Gashi Psikoedukim dhe Vetënjohje posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share