05/11/2026
📍 **ERE dhe Komisioni Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm zhvillojnë vizitë pune në Karavasta Solar**
Më 4 nëntor 2026, Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), anëtarë të Bordit të Komisionerëve dhe drejtues të drejtorive të ERE-s, së bashku me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, zhvilluan një vizitë pune në Parkun Fotovoltaik të Karavastasë, me fuqi të instaluar 140 MW.
Vizita kishte në fokus njohjen nga afër me veprimtarinë e ERE-s, zhvillimet në tregun e energjisë elektrike dhe gazit natyror, si dhe ecurinë e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë dhe kontributin e tyre në rritjen e sigurisë së furnizimit.
Gjatë vizitës në impiant, përfaqësuesit u njohën me projektin, kapacitetet prodhuese, sasinë e energjisë elektrike të prodhuar, mënyrën e operimit, si dhe problematikat dhe sfidat që shoqërojnë funksionimin e tij.
Programi përfshiu gjithashtu vizitën në sallën e komandës, ku u prezantuan skema elektrike e projektit dhe lidhja e impiantit me rrjetin, si dhe vizitën në nënstacionin 220/110/20 kV Fier, një pikë e rëndësishme për lidhjen e impianteve fotovoltaike të zonës me sistemin elektroenergjetik.
Në vijim, diskutimet u përqendruan edhe në risitë dhe ndryshimet që sjell ligji nr. 59/2026, “Për sektorin e energjisë elektrike”, si dhe në sfidat dhe perspektivën e zhvillimit të sektorit energjetik.
Diversifikimi i burimeve të energjisë dhe rritja e kapaciteteve prodhuese nga burimet e rinovueshme mbeten elemente të rëndësishme për sigurinë e furnizimit dhe realizimin e objektivit që Shqipëria të jetë eksportuese neto e energjisë elektrike deri në vitin 2030.
ERE vijon të ushtrojë funksionet e saj rregullatore në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të energjisë dhe funksionimit të një tregu transparent dhe konkurrues.