19/06/2026
Punësimi i studentëve, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe PwC Shqipëri marrëveshje bashkëpunimi
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe PricewaterhouseCoopers Consulting sh.p.k. (PwC Shqipëri) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin e lidhjeve ndërmjet arsimit të lartë dhe tregut të punës, si dhe krijimin e mundësive të reja profesionale për studentët dhe stafin akademik.
Marrëveshja u firmos nga Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Adrian Civici, dhe Administratorja e PwC Shqipëri, Mirjeta Emini.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, UMSH dhe PwC do të bashkëpunojnë në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta arsimore dhe profesionale, vizitave studimore të studentëve në zyrat e PwC, si dhe në zhvillimin e seminareve, konferencave, forumeve dhe konkurseve me pjesëmarrjen e ekspertëve të kompanisë.
Gjithashtu, përfaqësuesit e PwC do të angazhohen si lektorë, mentorë dhe anëtarë jurish në iniciativa të organizuara nga universiteti, duke sjellë eksperiencën e tyre profesionale pranë studentëve dhe duke kontribuar në përmirësimin e procesit mësimor.
Marrëveshja parashikon edhe zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta akademike, kërkimore dhe edukative, si dhe promovimin e mundësive të karrierës për studentët e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.