11/08/2026
“MOS ECË ZBATHUR, SE DO TË FTOHESH!”
Sa herë e kemi dëgjuar këtë fjali gjatë fëmijërisë?
Ditëve të fundit, gjatë kontrolleve në Poliklinikën NATAL, më ka rastisur disa herë të shoh fëmijë që hyjnë zbathur. Në këndin e lojërave përballë Poliklinikës shoh gjithashtu fëmijë që vrapojnë, luajnë dhe kënaqen zbathur.
Dhe ajo që më bie në sy është se shumë prej tyre janë fëmijë që jetojnë jashtë Kosovës.
Pse?
Sepse në shumë vende prindërit e kanë kuptuar prej kohësh se fëmija nuk ka nevojë të jetë gjithmonë i mbështjellë, i veshur dhe me këpucë në këmbë.
Në Kosovë, për fat të keq, ende ekziston frika:
❌ “Mos e lër zbathur se ftohet!”
❌ “Mos u ul në tokë!”
❌ “Mos luaj në rërë!”
❌ “Vishu mirë se do të sëmuresh!”
Por ecja zbathur në ambiente të sigurta nuk e shkakton ftohjen.
Ftohja dhe infeksionet respiratore shkaktohen kryesisht nga virusët, jo nga fakti që fëmija ka hequr këpucët.
👣 Përkundrazi, ecja zbathur gjatë verës mund t'i ofrojë fëmijës:
✅ forcim të muskujve të shputës dhe këmbës;
✅ zhvillim më të mirë të ekuilibrit;
✅ përmirësim të koordinimit;
✅ stimulim të receptorëve shqisorë të shputës;
✅ zhvillim të propriocepcionit;
✅ përvojë natyrale me sipërfaqe të ndryshme.
Bari,rëra,toka si dhe sipërfaqe të ndryshme të sigurta,të gjitha këto i japin fëmijës informacion përmes shputave dhe e ndihmojnë të mësojë më mirë se si ta kontrollojë trupin e tij.
Natyrisht, nuk duhet të harrojmë sigurinë: jo në asfalt të nxehtë, jo aty ku ka qelq apo objekte të mprehta, jo në ambiente të ndotura dhe jo në vende ku ekziston rrezik për dëmtime.
Por në një oborr të sigurt, në bar apo në rërë?
Lërini fëmijët të heqin këpucët.
Lërini të vrapojnë.
Lërini të luajnë.
Lërini të ndiejnë tokën nën këmbët e tyre.
Sepse ndonjëherë, në përpjekjen për t'i mbrojtur fëmijët nga çdo gjë, harrojmë t'u japim atë që u nevojitet më shumë: lëvizjen dhe lirinë.
❤️ Fëmija nuk sëmuret sepse hoqi këpucët.
Fëmija rritet duke lëvizur, duke eksploruar dhe duke përjetuar botën.
Këtë verë, mos u frikësoni nga këmbët zbathur.
Frikësohuni më shumë nga një fëmijëri pa lëvizje.
Dr. Ismail Lutolli Specialist Pediatër
Subspecialist Dietolog-Nutricionist
Subspecialist Hematologji dhe Onkologji Pediatrike
Poliklinika NATAL